Kanali i burimit ujor dhe ujitjes në fshatin Mirakë të Bashkisë Librazhd është rikthyer në funksion të plotë, duke u shërbyer banorëve për vaditjen e tokave bujqësore.
Ndërhyrja e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) erdhi pas ankesës së një grupi banorësh nga Miraka, Xibraka dhe Polisi, të cilët denoncuan dëmtimin e kanalit përmes punimeve të paligjshme.
Pas verifikimeve në terren, inspektorët e IKMT-së konstatuan se shtetasi me inicialet M.H. kishte vendosur tuba plastikë në kanal dhe kishte kryer punime me beton, duke ngushtuar diametrin e kalimit të ujit dhe duke penguar rrjedhjen normale të tij.
Sipas IKMT-së, punimet ishin kryer pa lejen përkatëse nga institucionet shtetërore.
Pas konstatimit të shkeljes, IKMT kreu procedurat administrative dhe ndërhyri për rikthimin e kanalit në gjendjen e mëparshme. Me përfundimin e ndërhyrjes, kanali është rikthyer në funksion dhe tashmë u shërben banorëve të tre fshatrave për vaditjen e tokave të tyre.
