Një e re e ardhur nga diaspora në Gjermani i është bashkuar protestës popullore para godinës së Kryeministrisë, duke përcjellë një mesazh prekës për dashurinë ndaj atdheut, kuptimin e vërtetë të patriotizmit dhe nevojën urgjente për rikthimin e bashkatdhetarëve në vend.
E reja ndau ndjenjat e saj simbolike për Shqipërinë dhe refleksionin e saj mbi patriotizmin në ditët e sotme: “Vij nga Gjermania në diasporë. Ka ardhur koha për një Shqipëri të re. Për mua Shqipëria është ndonjëherë një nënë që pret te dera me dhimbje e vuajtje të mëdha, dhe ndonjëherë më duket një vashë nga jugu e cila e do të bukurën dhe të mirën. Shqipëria është një femër, një nënë, një vashëz, një nënë fisnike që burrat e këtij dheu i thërrasin nanë.”
“Deri dje nuk e quaja veten patriote. Por këto ditë kam kuptuar se patriotizmi i vërtetë është të dish historinë tënde, të flasësh gjuhën tënde, të respektosh tokën dhe natyrën dhe të ngresh zërin kur vendi yt ka nevojë, sidomos tani!”
Më tej, ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen përballë krizave dhe të bashkohen për ndërtimin e të ardhmes:
“Shpresën nuk na e merr dot njeri, ajo është fuqia më e madhe që ka një njeri dhe nuk ka qeveri e pushtetar që të na e marrë! Populli ynë është i lodhur, ka jetuar shumë kriza e probleme, kemi parë pushtetarë që kanë menduar për veten dhe jo popullin.”
“Shumë pyesin pse të besoj përsëri, dhe unë kam ardhur t’ju them të mos e humbasim shpresën së bashku, sepse gjërat e bukura duan kohë dhe rrugët e mëdha nuk ndërtohen brenda një nate. Një Shqipëri e re ndërtohet nga të gjithë ne, jo nga një njeri.”
Në përmbyllje të fjalës së saj, e reja solli në vëmendje shifrat shqetësuese të largimit të forcës aktive të punës nga vendi:
“Flasim për njerëzit që ikin sikur janë numra, por janë njerëzit tanë. Në vitin 2025 në Shqipëri janë 2.3 milionë shqiptarë, jashtë saj 2.2 milionë. Pra 1 në 2 shqiptarë jeton jashtë vendit. Nga këta, 400 mijë janë fëmijë. 77% e atyre që jetojnë në diasporë janë forcë pune aktive që mungon në Shqipëri, por shfrytëzohet jashtë.”
“Këto shifra jo vetëm na trishtojnë, por duhet të na alarmojnë dhe të na ngrenë në këmbë. Duhet ta sjellim diasporën sërish këtu në zemrën e këtij vendi, me dinjitet dhe me një shtet që respekton njerëzit e saj.”
