Gjatë fjalës së tij në protestën masive para godinës së Kryeministrisë, një bashkatdhetar i ardhur nga diaspora ka lëshuar akuza të forta ndaj klasës politike 35-vjeçare, duke kërkuar rikthimin e pasurisë së vjedhur te populli, dhënien e fundit të korrupsionit dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar.

Protestuesi nga diaspora theksoi se përpara se politikanët përgjegjës të përballen me drejtësinë, duhet t’i kthejnë popullit të gjitha resurset e përvetësuara:

“Para se t’i fusim në burg Ramën e Berishën, duhet të bëhet çmos që t’i kthehet pasuria e vjedhur popullit! Prania jonë e shumtë këtu tregon se kërkojmë një Shqipëri të lirë! Ne duam një Shqipëri të lirë ku të gjithë të jenë të barabartë, të mos ketë varfëri e pasuri ekstreme, të mos ketë hajdutë të tenderave që na lanë pa spitale, pa rrugë, pa tunele e pa ura.”

Më tej, ai denoncoi atë që e cilësoi si strategji të përbashkët të politikanëve për të përçarë popullin dhe për ta shtyrë atë drejt emigrimit, ndërsa vlerësoi lart rininë që po proteston:

“Mos të kemi më anti-shqiptarë që janë prej 35 vitesh në fuqi, pa rreshtur, e na kanë ndarë politikisht që të urrejmë njëri-tjetrin! Ata janë të dy dakoord, janë një politikë që vijon tej imagjinatës sonë, me një qëllim: për t’ia hedhur popullit të vet! Sot ky brez i ri nuk shitet e nuk blihet, i ngjan gjeneratës së vjetër arbërore, i ngjan Skënderbeut.”

“E pra kjo politikë e ka mbuluar me çarçaf heroin tonë kombëtar, e kanë zhdukur bustin e tij — kjo nuk duhet të ndodhë më! Aty është identiteti ynë, ky është flamuri ynë e amaneti i të parëve. Nuk duhet të durojmë më këtë klasë që e shtyu popullin tonë drejt emigracionit, ia shpifi jetën e e bëri të padurueshme. Kjo është e qëllimshme dhe është strategji që e ndjekin me përpikmëri prej 35 vitesh!”

Në përmbyllje të fjalës së tij, ai dha një alarm për rrezikun e humbjes së sovranitetit dhe bëri thirrje për mbrojtjen e pakushtëzuar të atdheut:

“Duan t’i japin konsullatë Serbisë në Shkodër se duan t’i japin varret ushtarëve serbë aty! Nëse e tolerojmë këtë klasë politike, duhet të mbyllim sytë kur të na tundin flamurin e Vorio Epirit në mes të qyteteve tona! Nëse vijojmë këtë tendencë, Shqipëria vdes dhe s’ka të ardhme.”

“Këtu jemi për kombin tonë. Ose do mbesim si kurdët, pa atdhe e nuk do kemi ku të shkojmë! Çdo gjë zgjidhet në këtë jetë, atdheu jo! Atë e ka dhënë Zoti, mjerë kush na e prek!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb