Pas tubimit para godinës së Kryeministrisë, protesta masive ka vijuar me nisjen e marshimit përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku pamjet ajrore tregojnë një pjesëmarrje të madhe qytetare dhe një atmosferë elektrizuese, teksa diaspora dhe qytetarët kërkojnë largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Pamjet e kapura me dron menjëherë pas nisjes së marshimit pasqyrojnë Bulevardin kryesor të mbushur plot, ku valëviten flamuj kombëtarë kuq e zi dhe drita që ndriçojnë të gjithë aksin rrugor drejt Sheshit “Nënë Tereza”.
Në ballë të marshimit, qytetarët dhe pjesëtarët e diasporës mbajnë pankarta të mëdha me mesazhe të prera kombëtare e politike.
Lëvizja e turmës po shoqërohet me thirrje të njëpasnjëshme, thirrje me megafonë dhe ovacione që oshëtijnë në të gjithë zonën qendrore të kryeqytetit, ndërsa qëndresa qytetare vijon me marshim në rrugët kryesore.
