Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka kritikuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për anulimin e vizave të disa figurave politike meksikane, mes tyre edhe djali i ish-presidentit Andrés Manuel López Obrador.
Andrés Manuel López Beltrán deklaroi të enjten se autoritetet amerikane i kishin revokuar vizën pa i dhënë një arsye, duke e bërë publik vendimin përmes një postimi në Instagram. Ai e lidhi masën me atë që e cilësoi si një qëndrim armiqësor ndaj partisë në pushtet, MORENA, të themeluar nga babai i tij. Sipas mediave meksikane, SHBA-ja ka anuluar vizat e rreth 50 drejtuesve dhe figurave të lidhura me koalicionin qeverisës, disa prej të cilëve dyshohet se kanë lidhje me krimin e organizuar.
Sheinbaum e konsideroi këtë praktikë si një përpjekje për të ndikuar në zhvillimet politike të Meksikës. Megjithatë, ajo theksoi se nuk pret që çështja të dëmtojë në mënyrë të përgjithshme marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Ne gjithmonë duhet të përpiqemi për një marrëdhënie të mirë, por gjithashtu duhet t’i themi gjërat ashtu siç janë”, deklaroi presidentja meksikane. Ambasada amerikane në Meksikë nuk komentoi rastet konkrete, duke argumentuar se informacioni mbi vizat dhe pasaportat është konfidencial. Edhe partia MORENA reagoi ndaj vendimit, duke kundërshtuar përdorimin e masave që lidhen me emigracionin dhe udhëtimin si një mjet për ndërhyrje në çështjet politike të Meksikës.
