Detaje të reja dalin në dritë lidhur me incidentin e rëndë me armë zjarri të regjistruar mesditën e kësaj të shtune në një lokal të njohur në qytetin e Elbasanit, ku Ermir Këndezi, dyshohet se ka qenë objektivi i një atentati.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 14:50, në momentin kur Ermir Këndezi, po largohej nga ambientet e lokalit. Sipas të dhënave paraprake, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm kanë ndihmuar hetuesit në rindërtimin e dinamikës së incidentit.

  • foto galeri

Në pamjet filmike shfaqet Ermir Këndezi, i veshur me bluzë të zezë, duke qëndruar fillimisht brenda lokalit. Pas disa minutash, ai ngrihet nga tavolina dhe largohet nga ambientet e brendshme. Në të njëjtën kohë, një tjetër person, i cili ndodhej në lokal duke konsumuar kafe në shoqërinë e një shtetaseje, ngrihet dhe e ndjek nga pas.

Sipas të dhënave paraprake, pasi ka dalë jashtë lokalit, personi i veshur me bluzë të bardhë i është afruar Bitocit nga pas dhe i ka drejtuar një armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.

Në këtë moment, reagimi i shpejtë i Ermir Këndezi, dyshohet se ka shmangur një tragjedi. Ai ka arritur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa një tjetër element që po verifikohet nga grupi hetimor është dyshimi se pistoleta e autorit të dyshuar është bllokuar në momentin kur ai ka tentuar të qëllojë.

Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga ekspertiza balistike, ajo mund të jetë një prej elementeve të rëndësishme për përcaktimin e natyrës së ngjarjes dhe nëse bëhet fjalë për një tentativë të drejtpërdrejtë vrasjeje.

Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal, me qëllim përcaktimin e mënyrës se si është zhvilluar ngjarja, nëse personi i dyshuar e ka ndjekur qëllimisht Bitocin dhe cili ka qenë motivi i përplasjes.

Hetuesit po mbështeten në dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal, por edhe në pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë regjistruar lëvizjet e personave të përfshirë para, gjatë dhe pas incidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb