Ministrat e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Jordanisë, Indonezisë, Pakistanit, Turqisë, Arabisë Saudite dhe Egjiptit kanë dënuar refuzimin nga Izraeli të një dokumenti me 15 pika të propozuar nga Bordi i Paqes i Presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat paralajmërojnë se qëndrimi i Izraelit ndaj zbatimit të planit rrezikon përpjekjet për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme në rajon.

“Qëndrimet e palëkundura në mohim të drejtpërdrejtë të Planit rrezikojnë të dëmtojnë përpjekjet e tij dhe ndikojnë negativisht në përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratë.

Sipas ministrave, refuzimi i udhërrëfyesit tregon se Izraeli “tani mban peng përpjekjet për të sjellë paqe në Gaza dhe në të gjithë Territorin e Pushtuar Palestinez”.

Në dokument theksohet gjithashtu se plani është pranuar nga fraksionet palestineze dhe është rezultat i përpjekjeve të ndërmjetësuesve.

Udhërrëfyesi parashikon, ndër të tjera, çarmatimin e grupeve, tërheqjen e forcave izraelite, vendosjen e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit, transferimin e autoritetit administrativ te Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës dhe nisjen e procesit të rindërtimit të territorit.

Ministrat e Jashtëm të tetë vendeve e kanë vlerësuar planin si një mundësi për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të krijuar bazat për një zgjidhje diplomatike dhe afatgjatë të situatës në Gaza.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb