Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me dy ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Sarandë dhe Ksamil. Këlliçi shkruan se në të dyja rastet, efektivë të policisë kanë rezultuar të përfshirë, jo në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë, por si palë në ngjarje.

Në vijim të reagimit, Këlliçi akuzon qeverinë e Edi Ramës për përgjegjësi politike për gjendjen e krijuar në Policinë e Shtetit dhe përmend edhe hetime e përgjime të autoriteteve franceze dhe belge, të cilat, sipas tij, kanë nxjerrë në pah lidhje mes grupeve kriminale dhe strukturave të policisë.

Më të rënda, sipas tij, janë zhvillimet në Ksamil, ku një turist 20-vjeçar portugez humbi jetën në hotel “Principotes” pasi u godit me thikë nga një prej punonjësve. Këlliçi pretendon se autori i dyshuar, me precedent kriminal, ishte i punësuar në një biznes të një personi me probleme me ligjin dhe kishte si koleg një efektiv policie, i cili, sipas tij, dyshohet se ka ndihmuar në krim dhe arratisje. Pronar i “Principotes” është 36-vjeçari Bekim Bulica i cili vijon të jetë në kërkim policor.

Reagimi:

Edhe krimineli edhe oficeri në të njëjtën bordero!

Dy ngjarje njëra pas tjetrës, në Sarandë e në Ksamil, na tregojnë një anë të errrët të policisë, krejt tjetër nga ajo që propagandon Ministri dhe Kryeministri.

Në dy ambjentet ku ndodhën ngjarje kriminale, rezultuan efektivë të policisë të përfshirë. Jo të përfshirë për të vendosur rendin e garantuar jetën e qytetatrëve, dhe sigurinë fizike. Të përfshirë si palë.

Në Sarandë gati gati patëm një përballje mes policive. Ata që përfaqësonin klubin privat, ishin oficerë që punonin aty part time, ose në sezon si me thënë. Dhe nga ana tjetër, ata të rendit që përfaqësonin komisariatin.

Më e rënda është në Ksamil, me viktimë një turist 20 vjeçar portugez.

Autori një person me precedent kriminal, ishte i punësuar në biznesin e një njeriu problematik dhe kishte koleg një oficer policie që dyshohet se ka ndihmuar në krim dhe në arratisje.

Edhe oficeri edhe krimineli të dy të punësuar dhe në të njëjtin vend. Në të njëjtën bordero.

Kjo bashkëjetesë mes atyre që duhet të garantojnë ligjin dhe atyre që janë subjekt i punës së tyre, është tronditëse dhe rezulton e shtrirë në çdo nivel.

Nuk ka asnjë dyshim se këta badigardë privatë që kryejnë krime dhe oficerë që janë betuar për të shërbyer ligjin, punojnë sëbashku në shumë lokale, club-e dhe ambjente të tjera të frekuentuara në gjithë vendin. Është një skemë e përhapur.

Ne i dimë tanimë lidhjet dhe inkriminimin e policisë në kupolën e saj me bandat. Përgjimet që kanë sjellë autoritetet franceze e belge tregojnë se si grupet e fuqishme kriminale kanë ndikuar në emërime të shefave të komisariateve e drejtorëve.

Por rastet e ditëve të fundit po tregojnë se kjo simbiozë është e shtrirë në mënyrë pandemike dhe në terren.

Çka tregon për një sëmundje të rëndë në indin kryesor të shtetit, atë të policisë.

Në këtë nivel alarmant, gjendja erdhi pas 13 viteve pushtet të Edi Ramës, i cili bandat dhe grupet kriminale i ka pasur vazhdimisht shtabet e tij elektorale. Duhet një përmbysje totale për të shkulur këtë inkriminim dhe bashkëjetesë të krimit, të të fortëve me oficerët e shkolluar, të betuar dhe të paguar nga taksat tona për të zbatuar ligjin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: