Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e “News24”, ka analizuar qëndresën qytetare kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, e cila vijon prej më shumë se 80 ditësh radhazi.

Hoxha u shpreh se kjo lëvizje tejkaloi parashikimet e atyre që pretendonin se populli nuk do të dilte në shesh për shkak të konformizmit, largimeve jashtë vendit apo dështimeve të opozitës. Sipas tij, mashtrimet e qeverisë dhe perceptimi se kasta politike bëhet bashkë kur vjen puna te mirëqenia e qytetarëve, çuan në derdhjen e pikës së fundit të ujit.

Ai nënvizoi se protesta lindi “pa kokë” dhe është kthyer tashmë në një gjendje mendore për shumicën e shqiptarëve. Pavarësisht nëse temperaturat e larta ulin numrin e njerëzve në shesh, mbështetja mbetet masive në çdo shtëpi, punë e lagje.

Gazetari denoncoi përpjekjet e shumta për delegjitimimin e lëvizjes – që nga propaganda për t’i cilësuar protestuesit si “iranianë”, deri te futja e policëve me civilë, grupeve të interesit dhe incidenteve për të nxitur përçarje e debate gjatë marshimeve. Megjithatë, ai theksoi se 90% e pjesëmarrësve janë të qartë në kauzën e tyre dhe se protesta po piqet e po vetëpastrohet. Hoxha paralajmëroi se shtatori parashikohet “flakë”, jo vetëm nga rikthimi i njerëzve nga pushimet, por edhe nga ndërgjegjësimi në rritje.

Sipas Poli Hoxhës, kërkesat e protestuesve janë të qarta: dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike jo-partiake me mandat 12-mujor. Kjo qeveri do të merret me hartimin e rregullave të reja të lojës, përfshirë ndryshimin e kodit zgjedhor, ligjin për financimin e partive, kufizimin e mandateve të kryeministrit dhe rikthimin e referendumeve, për të thyer status quo-në ku 100 nga 140 deputetë emërohen drejtpërdrejt nga Rama dhe Berisha.

Në përfundim, ai theksoi se largimi i pushtetit lidhet me trinomim: protesta në mes, ndërkombëtarët në krah dhe veprimet e SPAK-ut. Ai vlerësoi se SPAK ka asistuar këtë lëvizje që nga dita e tretë me hetimet për Zvërnecin dhe sekuestrimin e mbi 1.5 milionë metrave katrorë pronash, kullash e resortesh të miratuara me firmën e kryeministrit, duke i treguar popullit se pushteti nuk po lëshohet vetë si në një vend normal.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb