Prej 21 ditësht, banorët e Divjakës vijojnë protestën e tyre në sheshin përpara bashkisë, duke kundërshtuar vendimet e institucioneve vendore dhe duke kërkuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet.
Edhe mbrëmjen e sotme, në ditën e 21-të të protestës, folësit u përqendruan te kritikat ndaj administratës së Bashkisë Divjakë, ndërsa nuk munguan akuzat dhe kritikat ndaj deputetëve dhe drejtuesve të tjerë politikë që, sipas protestuesve, nuk janë bërë pjesë e tubimit për t’i mbështetur.
Protestuesit deklaruan se nuk kanë ndërmend të tërhiqen dhe e konsiderojnë vijimin e protestës si një mundësi reale, pavarësisht presioneve që, sipas tyre, synojnë shuarjen e saj.
Pas fjalimeve, protesta vijoi me një marshim në rrugët e qytetit. Gjatë marshimit u vu re edhe një moment solidariteti qytetar, kur protestuesit i hapën rrugën një ambulance që transportonte një person të sëmurë.
“Mazniku propozon, Divjaka kundërshton”, “Divjaka bashki, këtu vendosim ne” dhe “Divjaka e qytetarëve, jo e pushtetarëve” ishin disa prej thirrjeve që shoqëruan marshimin.
Banorët paralajmërojnë se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të merren në konsideratë nga institucionet.
