“Eja më merr se kam bërë aksident me motor”. Kjo është telefonata që, sipas dëshmisë së tij në gjykatë, Nuh Mahmutoglu ka marrë nga Sokrat Vata pas ngjarjes së rëndë në Ksamil.

BalkanWeb ka zbardhur detaje nga seanca maratonë në Gjykatën e Sarandës. Shtetasi turk ka deklaruar se nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur realisht.

Ai ka rrëfyer se, pasi mori telefonatën nga Vata, shkoi ta merrte me makinë, duke menduar se kishte pësuar një aksident me motor.

Sipas Mahmutoglu, Vata i ka thënë se donte të flinte dhe është futur në bagazhin e automjetit.

Mahmutoglu ka deklaruar se ndodhej në Sarandë, jo shumë larg vendit ku kishte ndodhur krimi. Pasi mori Vatën në automjet, ai ka vijuar rrugën për të marrë edhe një vajzë turke, duke këmbëngulur se në atë moment nuk kishte dijeni për ngjarjen e vërtetë.

Në gjykatë, avokatja mbrojtëse Xhoi Nela ka kundërshtuar masën e “arrestit me burg”, duke argumentuar se nuk provohet që klienti i saj kishte dijeni për ngjarjen.

“Vetëm fakti që janë gjetur bashkë nuk justifikon masën ‘arrest me burg’, pasi nuk provohet se kishte dijeni për ngjarjen dhe, për rrjedhojë, nuk plotësohet ana subjektive”, ka deklaruar avokatja Nela.

Nuh Mahmutoglu, me banim në Durrës, është administrator i një biznesi që ushtron aktivitet në fushën e makinave me qira.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb