Një 34-vjeçar është arrestuar në Kurbin, pasi dyshohet se ka kanosur me armë zjarri një 72-vjeçar dhe dy djemtë e tij, pas një konflikti për motive të dobëta.
Policia njofton se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 22 gushtit, rreth orës 20:00, në fshatin Adriatik. Pas marrjes së informacionit për kanosjen me armë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë nisur menjëherë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Reagimi”, në pranga ka rënë 34-vjeçari N. N., banues në fshatin Adriatik.
Sipas Policisë, ai dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri 72-vjeçarin N. N. dhe djemtë e tij, M. N., 43 vjeç, dhe A. N., 50 vjeç. Gjatë konfliktit, 34-vjeçari dyshohet se ka goditur gjithashtu me grushte 50-vjeçarin.
Gjatë kontrollit të banesës së të arrestuarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur në kanosje, dy krehra dhe municion luftarak.
34-vjeçari po hetohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
