Përfundon sot, më 25 gusht, pelegrinazhi 7-ditor në Malin e Shenjtë të Tomorit. Rreth 700 mijë pelegrinë nga Shqipëria, Diaspora dhe vende të ndryshme të botës iu drejtuan Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit.
Pelegrinazhi nisi më 18 gusht, ndërsa kulmi i festimeve u shënua më 22 gusht. Gjatë këtyre ditëve, Mali i Tomorit u kthye në një pikë të rëndësishme pelegrinazhi, ku besimtarë të komunitetit bektashi dhe qytetarë të besimeve të ndryshme kryen ritet fetare dhe u lutën për shëndet, mirësi dhe paqe në familjet e tyre.
Pelegrinët ngritën çadrat pranë Teqesë së Kulmakut dhe kryen ritualin e kurbanit, ndërsa shumë prej tyre udhëtuan edhe drejt majës së Tomorrit, në lartësinë 2416 metra mbi nivelin e detit.
Teqeja e Kulmakut kishte marrë masa për pritjen e numrit të madh të vizitorëve, duke siguruar çadra, ujë të pijshëm, ndriçim, ambiente sanitare, hapësira pushimi dhe kampingu. Gjithashtu, u krijuan vende të posaçme për therjen dhe pjekjen e mishit, me synim shmangien e ndezjes së zjarreve në pyjet përreth.
Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i Teqesë së Kulmakut, Zalo Qato, ka ngritur shqetësimin për mungesën e mbështetjes nga pushteti vendor.
“Rruga drejt Malit të Tomorrit është rregulluar dhe mirëmbajtur nga ana jonë nga viti në vit. Kemi marrë masat e duhura për tualetet, sheshet e pushimit dhe kampingut, por kemi pasur probleme edhe me menaxhimin e mbetjeve. Kemi pasur ndihmën e pakushtëzuar të Policisë së Shtetit, por duhet edhe mbështetja e qeverisë dhe pushtetit lokal. Nga ana e pushtetit lokal nuk kemi pasur asnjë mbështetje gjatë pelegrinazhit të këtij viti”, deklaroi Qato.
Sipas tij, numri i pelegrinëve këtë vit ka qenë edhe më i lartë se në vitin e kaluar.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë, Drejtoria Vendore e Policisë Berat angazhoi rreth 150 forca policie, të cilat patrulluan në akset rrugore që të çojnë drejt Malit të Tomorrit. Në terren u angazhuan strukturat e qarkullimit rrugor, rendit dhe hetimit, me qëllim shmangien e aksidenteve dhe garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit.
Gjatë pelegrinazhit, besimtarët vizituan Teqenë e Kulmakut dhe varrin e Abaz Aliut, duke kryer ritet tradicionale të festës. Për shumë prej tyre, udhëtimi drejt Malit të Tomorrit është një traditë e përvitshme, me pelegrinë që udhëtojnë qindra kilometra për të marrë pjesë në këtë festë të shenjtë.
Pas shtatë ditësh aktivitetesh dhe ritesh fetare, pelegrinazhi në Malin e Shenjtë të Tomorrit përfundon sot, duke mbyllur një tjetër edicion të festës që çdo vit mbledh dhjetëra mijëra besimtarë dhe vizitorë nga Shqipëria dhe jashtë saj.
