Një tragjedi e rëndë ajrore ndodhi në Luginën e Sipërme të Andronës, në rajonin Verbano-Cusio-Ossola, në veri të Italisë. Një aeroplan me dy persona në bord u përplas me kabllot e një teleferiku që i shërbente digës Campizzoli, në një lartësi rreth 1,350 metra.
Pas përplasjes, mjeti u përfshi nga flakët dhe u rrëzua në rrëzë të shpatit të digës. Në bord ndodheshin piloti 62-vjeçar Alessandro Angelo Muccinelli, inxhinier dhe pronar i aeroplanit, si dhe 63-vjeçarja Antonella Pagliarani nga Milano. Të dy humbën jetën në vend.
Sipas dëshmive, aeroplani po fluturonte në lartësi të ulët mbi parkun natyror, ndërsa disa alpinistë dhe turistë panë momentin e aksidentit. Kryebashkiaku i Andronës, Franco Borsotti, tha se e pa avionin nga dritarja e shtëpisë së tij dhe se mjeti u shndërrua papritur në “një top zjarri”.
Ekipet e emergjencës, zjarrfikësit, karabinierët dhe ekipet e shpëtimit malor mbërritën në vendngjarje, por nuk mundën të shpëtonin dy personat.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme. Një nga pistat paraprake lidhet me një shtresë të dendur resh që mund të ketë kufizuar shikueshmërinë dhe detyruar pilotin të kryente një kthesë, gjatë së cilës aeroplani dyshohet se preku kabllot e teleferikut.
Prokuroria e Verbanias ka hapur një hetim për vrasje të paqëllimshme, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe nëse ishin marrë lejet e nevojshme për fluturimin në atë zonë.
