Pas lajmit për vdekjen e Ratko Mladiçit, një nga figurat kryesore të luftës në Bosnje dhe përgjegjësit e dënuar për gjenocidin e Srebrenicës, rikthehet në vëmendje edhe historia tragjike e vajzës së tij, Ana. Një histori e mbushur me dashurinë e një babai për vajzën e tij, por edhe me përplasjen e dhimbshme mes figurës familjare që ajo njihte dhe realitetit të errët të krimeve për të cilat i ati do të gjykohej më vonë.

Ana Mladiç, vajza e preferuar e gjeneralit serb, u vetëvra në vitin 1994, në moshën 23-vjeçare, me armën e të atit. Arsyet e sakta të vendimit të saj nuk u provuan kurrë, por historia e saj është interpretuar ndër vite si një tragjedi familjare e lidhur me përballjen me realitetin e luftës dhe veprimet e babait të saj.

Shkrimtarja spanjolle Clara Usón e ka rindërtuar këtë histori në librin La hija (“Vajza”), duke e parë marrëdhënien mes Anës dhe Mladiçit përmes dramës së një vajze që përballet me peshën e mbiemrit dhe të së vërtetës që fshihej pas figurës së babait të saj.

Një histori personale që prek një prej kapitujve më të errët të historisë së Ballkanit. Corriere della Sera riboton këtë shkrim të Francesco Battistinit, botuar më parë në revistën “7”, mbi historinë e vajzës së Mladiçit.

ARTIKULLI
Zemra e babait. Drita e syve të mi. Jeta ime.

Edhe kriminelët dinë t’i thonë këto fjalë.

Babai Ratko ia thoshte Anës së tij. Fëmijës së madhe. Të preferuarës. E quante “biri im”, siç ishte zakon në Krajinë. Bir, edhe pse ishte vajzë, sepse në disa mjedise nuk kishte mënyrë më të fortë për të treguar dashurinë ndaj vajzës së parëlindur sesa duke e konsideruar si djalë.

Gjenerali dhe vajza. Ratko e përkëdhelte dhe Ana e përqafonte. Ai i jepte të çmontonte dhe pastronte Zastavën, pistoletën e tij nga akademia ushtarake, dhe i thoshte se një ditë do t’ia dhuronte, që ajo më pas t’ia jepte djalit të saj, nipit të tij. Ana e pastronte armën me përkushtim, me vaj dhe tretës, e lumtur që i bindej të atit.

Pastaj Ana u rrit. Nuk ishte më aq e verbër ndaj realitetit. Nuk ishte më aq e gëzuar. Ajo pa një anë tjetër, të errët, të të atit. Edhe jeta e saj mori një drejtim tjetër. Ana ëndërronte të bëhej kirurge, sepse kjo kishte qenë edhe ëndrra e parealizuar e të atit në rini. Por një natë gjithçka përfundoi.

Ishte 24 marsi 1994. Ana ishte 23 vjeçe. Hapi dollapin e shtëpisë, mori Zastavën dhe qëlloi veten në tëmth. Ajo mori me vete në varr arsyen e saktë të vendimit të saj. Megjithatë, rrethanat e vdekjes së saj kanë qenë objekt i shumë interpretimeve.

Shkrimtarja katalanase Clara Usón lexoi dokumente, dëgjoi dëshmi dhe udhëtoi për 40 muaj përpara se ta rrëfente historinë në romanin La hija (“Vajza”), botuar nga Sellerio. Në Spanjë libri u shpall libri i vitit dhe kritikët e krahasuan veprën me tragjedinë shekspiriane dhe prozën e Çehovit. Adriano Sofri e cilësoi si një nga librat më të mirë mbi periudhën e luftërave ballkanike.

“Kur e lexova këtë histori në The Times, mendova menjëherë se kishte një fuqi të jashtëzakonshme. Ishte një tragjedi greke. Ose ruse.”- tregon Usón, e cila më parë punonte si avokate. Sipas saj, marrëdhënia e Anës me të atin nuk kishte asgjë edipiane. Ajo përmend një video që gjendet në YouTube: në një skenë, Ana dhe Ratko Mladiç bëjnë shaka gjatë një pikniku. Pastaj ekrani bëhet i zi. Në skenën tjetër, Mladiç shfaqet i dëshpëruar pranë një arkivoli.

“Unë doja të merresha pikërisht me atë errësirë”, thotë shkrimtarja. Sipas rrëfimit të rindërtuar nga Usón, një moment vendimtar ishte një udhëtim i Anës në Moskë me shokët e saj. Atje ajo dëgjoi dhe diskutoi për tortura dhe përdhunime. Ana nisi të kuptonte se njeriu që kishte qenë pika e saj kryesore e referimit mund të mos ishte heroi që ajo kishte besuar. U kthye në shtëpi e ndryshuar dhe më e mbyllur në vetvete. Nuk i tregoi askujt se çfarë mendonte.

“Ka shumë interpretime të mundshme. Ana mund të jetë vrarë për të vrarë, në një kuptim simbolik, të atin. Ose sepse ndiente peshën e fajit dhe nuk mund të jetonte me të. Ose mund të ketë qenë një lloj sakrifice: unë vras veten që ti ta kuptosh; jam njeriu që ti do më shumë në botë dhe duhet të kuptosh vuajtjen që po u shkakton të tjerëve.”-thotë Usón. Këto mbeten interpretime të shkrimtares, jo motive të provuara të vetëvrasjes së Anës. Në Beograd dihej vendndodhja e varrit të Anës. Ratko Mladiç e vizitonte fshehurazi gjatë 16 viteve që kaloi në arrati.

Ditën kur u arrestua, ai kërkoi të vendoste gjashtë trëndafila mbi varrin e saj, përpara se autoritetet ta dërgonin në Hagë, ku do të gjykohej për krimet gjatë rrethimit të Sarajevës, spastrimin etnik në Bosnjë dhe gjenocidin e Srebrenicës. “Cilido që të ketë qenë mesazhi i vajzës së tij, ai nuk e pranoi kurrë”, thotë Usón.

Mladiç fliste për vrasje dhe komplot. Ai pretendonte se Ana nuk do ta kishte vrarë kurrë veten me Zastavën, sepse e dinte çfarë vlere kishte ajo armë për të. Për shkrimtaren, pikërisht këtu mund të gjendet një kuptim simbolik: arma që duhej të përfaqësonte vazhdimësinë e familjes u përdor për ta ndërprerë atë.

Barra e mbiemrit
Battistini e vendos historinë e Anës krahas rasteve të tjera të fëmijëve dhe pasardhësve të figurave historike përgjegjëse për krime.

Fëmijët e Joseph Goebbelsit nuk patën kohë të përballeshin me peshën e mbiemrit të tyre, pasi nëna e tyre i vrau me cianid në ditët e fundit të Gjermanisë naziste. Bettina Göring, mbesa e Hermann Göringut, vendosi të sterilizohej për të mos pasur fëmijë.

“Mëkatet e etërve, sado e padrejtë të jetë, rëndojnë mbi fëmijët më shumë sesa mëkatet e fëmijëve mbi prindërit”, argumenton Usón. “Nëse përbindëshi është prindi yt, ke dy rrugë: ose mohon gjithçka, ose e mohon atë.”. Edhe djali i Stalinit, Jakov Xhugashvili, i kapur nga Wehrmachti gjatë Luftës së Dytë Botërore, vdiq në një kamp gjerman pasi Stalini kishte refuzuar një shkëmbim të mundshëm të tij me feldmareshalin Friedrich Paulus.

Pasardhës të tjerë janë përballur ndryshe me trashëgiminë familjare. Alina Fernández, vajza e Fidel Castros, shprehu kritikat ndaj të atit në një libër, ndërsa Katrin Himmler, pasardhëse e familjes së Heinrich Himmlerit, është marrë publikisht me historinë e familjes së saj. Vëllai i Anës, Darko, vazhdoi ta mbronte të atin dhe të kundërshtonte akuzat për gjenocid. Libri i Clara Usón nuk i pëlqeu dhe ai nuk lejoi që botuesi të përdorte fotografi të familjes.

“Në Serbi ka shumë ndërgjegje të ndershme, por ende dëgjon pretendime se kampet serbe të përqendrimit ishin krijuar në studio hollivudiane, me modele anoreksike.”-thotë Usón. Ajo kujton gjithashtu deklaratat mohuese që janë bërë në Serbi për Srebrenicën. Historia e Ratko dhe Ana Mladiçit lidhet më pas me episodin më të rëndë të vrasjeve masive në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore: masakrën e Srebrenicës. Disa javë pas vdekjes së Anës, të cilën Mladiç e quante “Ylli”, forcat serbe të Bosnjës intensifikuan ofensivën kundër Gorazhdes. Sipas artikullit, operacioni mbante emrin e koduar “Ylli”.

Një vit më vonë, në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe djem boshnjakë myslimanë në Srebrenicë. Clara Usón sheh një lidhje psikologjike mes vdekjes së Anës dhe sjelljes së mëvonshme të Mladiçit.

“Ekziston një Mladiç para dhe një tjetër pas vdekjes së Anës. Një njeri i çmendur nga dhimbja, i dëshpëruar. Jam e bindur se Srebrenica ishte hakmarrja e tij ndaj botës. Ekspertët ushtarakë thonë se vrasja e gjithë atyre njerëzve nuk kishte asnjë logjikë, as në aspektin strategjik.”-thotë ajo.

Edhe ky është interpretimi i Usón dhe jo një përfundim gjyqësor mbi motivin e masakrës. Në kohën kur u shkrua fillimisht artikulli, Mladiç ndodhej në paraburgim në Hagë dhe procesi ndaj tij vazhdonte. Ai fliste për një Evropë të kërcënuar dhe për nevojën, sipas pikëpamjeve të tij, për të ndalur Islamin me çdo mjet.

“E lexoj dhe trembem, sepse i njoh ato argumente”, thoshte Usón. Atë e tërhiqte një paralele mes historisë së Spanjës dhe asaj të ish-Jugosllavisë: luftë civile, diktaturë, ndarje etnike dhe ideja e mbrojtjes së krishterimit, në rastin spanjoll kundër maurëve dhe në Ballkan kundër osmanëve.

Sipas shkrimtares, edhe pse Evropa nuk po shihte “Mladiçë të rinj”, disa nga idetë e vjetra po rishfaqeshin. Ajo përmendte si shembull retorikën mbi rritjen e popullsisë turke në Gjermani dhe pretendimet se kjo rrezikonte identitetin gjerman. “Është ajo që thuhej për shqiptarët në Kosovë. Dhe e pamë se si përfundoi…”, thoshte Usón. Ana, e kuptoi shumë vonë atë që po ndodhte dhe nuk arriti ta përballonte peshën e asaj që kishte zbuluar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb