PD ka denoncuar një tjetër situatë që lidhet me kryeministrin Edi Rama.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, theksoi se kryeministri ndërsa propagandon kursime e mirëmenaxhim dhe përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve publike, shfaqet me automjete luksi.

Në denoncim ka publikuar edhe shifrat, ndërsa theksohet se automjeti me të cilin Rama u shfaq në Pogradec pas mbledhjes së qeverisë, duke u larguar me një Mercedes-Benz S, një automjet luksoz i cili kushton mbi 100.000 euro.

Deklaratë për media zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli:

Teksa propagandon kursime e mirëmenaxhim dhe përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve publike, kryeministri Rama shfaqet me automjete luksi, blerë sigurisht me paratë e shqiptarëve të varfër.

Vetë Kryeministri Rama u shfaq pak ditë më parë në Pogradec, pas mbledhjes së qeverisë, duke u larguar me një Mercedes-Benz S, një automjet luksoz i cili kushton mbi 100.000 euro.

E normalisht të njëjtin shembull ndjekin edhe vartësit e tij.

Sipas Open Procurement, administrata e Edi Ramës ka shpenzuar miliona euro për automjete të blera, me qira apo leasing.

Më tepër se 10 milionë euro kanë shkuar për këto blerje në duart e kunatit të KB socialiste të Durrësit, Emirjana Sakos.

Procedura e fundit, publikuar disa ditë më parë në regjistrin e prokurimeve, me objekt blerje e 3 automjeteve për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, drejtuar nga Delina Ibrahimaj, i kushton qytetarëve 200.000 euro (konvertuar me kursin e këmbimit sot).

3 automjetet e MEI do të furnizohen nga i njëjti operator, Mektrin Motors, biznesi i familjes së Emirjana Sakos.

Në përpjekjen e dështuar të Edi Ramës dhe sojit të tij për të bindur shqiptarët se qeveria punon dhe përpiqet për të mirët e tyre.

Përfundimi është i qartë:

  • Propagandë me fjalë, miliona për luks në praktikë.
  • Paratë publike përdoren për të financuar një administratë që nuk njeh kufij në shpenzime.
  • Kontratat publike vijojnë të përqendrohen tek një rreth i ngushtë operatorësh ekonomikë pranë pushtetit.

Partia Demokratike ripërsërit thirrjen e saj.

SPAK të hetojë si shpenzohen paratë e shqiptarëve.

Mjaft më me propagandë.
Mjaft më me padrejtësi.
Mjaft më me vjedhje e korrupsion.

Shqiptarët kërkojnë drejtësi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb