Në protestën e 90-të para Kryeministrisë, aktivisti Arben Kola ka bërë thirrje për vijimin e qëndresës qytetare deri në rrëzimin e qeverisë, ndërsa ka akuzuar Policinë e Shtetit për mënyrën e veprimit ndaj protestuesve. Kola tha se 90 net protestë janë dëshmi e një qëndrese të jashtëzakonshme, pavarësisht dallimeve ideologjike mes pjesëmarrësve. Më tej, aktivisti ka akuzuar drejtuesit e Policisë së Shtetit, duke e cilësuar institucionin si “policinë e turpit”.

Kola iu referua edhe mbledhjes së njoftuar te selia e Partisë Socialiste, e cila sipas tij u zhvendos për shkak të frikës nga protestuesit. Ai komentoi gjithashtu ndalimin e një protestuesi, duke kërkuar lirimin e tij dhe duke pretenduar se personi ishte ndaluar pasi kishte me vete vezë dhe domate.

“90 net me vetëdije kombëtare. Nuk është e lehtë, pasi kemi dhe ideologji të ndryshme. Por tani le të bëhemi dhe për aq ditë sa ka nevojë ky shesh, deri në rrëzimin e kësaj qeverie të korruptuar.

Dua të bëj një thirrje dhe denoncim për Policinë e Shtetit, që është kthyer në policinë e turpit. E kam fjalën për kupolën e policisë.

Sot ishte njoftuar një tubim qytetar para PS-së, por iu kishte hyrë frika dhe kishin ndryshuar vendin e takimit. U mbyllën të shkretët te Pallati i Brigadave. Mirëpo, kishin dalë nja 10 vetë, kurse një qytetar kishte marrë ca armë të rrezikshme: domate zemër kau dhe vezë. Lironi qytetarin sa më parë. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që të arrestohet vetëm se ka vezë apo banane, në asnjë vend. Thirrje për ministrin e Brendshëm: ti e ke firmosur faqen tënde të turpit, por të lutem, sa më parë lironi protestuesin, pasi ndryshe do të përballeni me pasojat e qytetarëve.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: