Një turist amerikan, i cili prej 10 vitesh viziton rregullisht Shqipërinë, ka marrë pjesë në protestën qytetare, duke ndarë me protestuesit lidhjen e tij me vendin dhe shqetësimin për ndryshimet që ka parë gjatë viteve. Ai tregoi se vizitën e parë në Shqipëri e kishte bërë me biçikletë, duke përshkuar vendin nga veriu në jug.Turisti tha se gjatë pesë viteve të fundit ka qenë dëshmitar i ndryshimeve që, sipas tij, kanë dëmtuar natyrën dhe mjedisin në vend.
“Prej 10 vitesh, çdo vit vizitoj Shqipërinë. Kur erdha për herë të parë, erdha me biçikletë dhe udhëtova nga veriu në jug. Rashë në dashuri me natyrën, liqenet, malet, lumenjtë dhe njerëzit, sepse janë mikpritës dhe të mirë. Kam qenë dëshmitar i shkatërrimit. Malet digjen, lumenjtë janë plot me plehra. Më thyhet zemra, sepse kjo nuk është Shqipëria me të cilën rashë në dashuri. Bregdeti zihet nga luksi, ndërsa në male nuk kanë kushtet dhe internetin, qeveria nuk i mbështet”, deklaroi turisti.
Në fjalën e tij para protestuesve, ai tha se e sheh situatën aktuale si një moment kritik, por shprehu shpresë dhe mbështetje për protestën paqësore.
“Ky është një moment kritik, por shoh shpresë. Dua të them që jam i frymëzuar nga ky revolucion. I frymëzuar që për 3 vite me një protestë paqësore tregoni se korrupsioni duhet të marrë fund!”, u shpreh ai.
Në fund, turisti përcolli një mesazh mbështetjeje për protestuesit: “Unë besoj në revolucion, besoj në Shqipëri dhe besoj në ju!”.
