Qytetarët e Islandës do t’u drejtohen nesër kutive të votimit për një referendum që mund të rikthejë në tryezë çështjen e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Pyetja që do t’u shtrohet votuesve është e qartë: “A duhet që Islanda të rihapë negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian?”

Referendumi nuk vendos përfundimisht anëtarësimin e Islandës në BE. Në rast të një rezultati pozitiv, vendi do të rikthehej në procesin e negociatave, ndërsa çdo marrëveshje eventuale anëtarësimi do të kërkonte një tjetër referendum.

Islanda aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009, në kulmin e krizës së rëndë financiare që goditi vendin dhe sistemin e tij bankar. Negociatat me Brukselin vijuan për disa vite, por Reykjaviku vendosi në vitin 2015 të tërhiqte kandidaturën. Çështja e anëtarësimit është rikthyer në qendër të debatit politik në një periudhë të ndryshimeve të forta gjeopolitike. Në veçanti, zhvillimet rreth Groenlandës dhe kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për territorin autonom danez kanë ndikuar në perceptimin e sigurisë në Islandë, e cila mbështetet te SHBA-ja dhe NATO-ja për mbrojtjen e saj.

Autoritetet islandeze argumentojnë se anëtarësimi në BE mund të jetë në interes të vendit, veçanërisht në kushtet e reja gjeopolitike. Megjithatë, opinioni publik mbetet i ndarë. Një sondazh i publikuar në fund të korrikut e vendoste kampin pro rihapjes së negociatave në avantazh me rreth 53%, ndërsa një sondazh i Gallup i këtij muaji tregoi një garë shumë më të ngushtë: 46% deklaruan se do të votonin “po” dhe po aq “jo”, ndërsa 8% ishin ende të pavendosur.

Rezultati i referendumit pritet të shihet me interes edhe në Bruksel. Islanda konsiderohet nga disa vende evropiane si një kandidate potencialisht e favorshme për t’iu bashkuar BE-së, në një kohë kur zgjerimi i Unionit është rikthyer në fokus për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe procesit të gjatë të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse qytetarët votojnë pro, Islanda do të rikthejë zyrtarisht në tryezë një proces që e kishte ndërprerë më shumë se një dekadë më parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: