Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Lefterije Lleshi (Luzi), mori pjesë në audiencën private të mbajtur nga Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, në Vatikan, me ftesë të Institutit Ndërkombëtar të Shkencave Administrative (IIAS).
Audienca u zhvillua në përmbyllje të Konferencës Vjetore EGPA 2026, e cila këtë vit iu kushtua temës: “Qeverisja Publike për të Mirën e Përbashkët: Inteligjenca Njerëzore në Shërbim të Komunitetit Global”.
Papa Leoni XIV inkurajoi anëtarët e Institutit Ndërkombëtar të Shkencave Administrative, që të vazhdojnë kërkimet e tyre, për të gjetur mënyrat dhe mjetet për të kontribuar, që administrata publike të ndihmojë në humanizimin e teknologjive digjitale, në mënyrë që ato t’i shërbejnë jetës dhe paqes.
Duke pranuar se ky mision nuk është i lehtë dhe se, herë pas here, mund të lindë ndjenja e dekurajimit, Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj detyre fisnike me vendosmëri. Papa Leoni XIV siguroi gjithashtu pjesëmarrësit për lutjet e tij, që Zoti t’i mbështesë dhe t’u japë forcë për të vijuar punën dhe angazhimin e tyre.
Ati i Shenjtë paralajmëroi gjithashtu për rrezikun real që njerëzimi mund të “bëhet viktimë” e vetë shpikjeve që ka krijuar, duke vënë theksin në përgjegjësinë që institucionet dhe administrata publike kanë për të garantuar që zhvillimi teknologjik dhe inteligjenca artificiale të mbeten në shërbim të njeriut.
Pjesëmarrja e Komisioneres për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në këtë audiencë të veçantë, në Vatikan përbën një moment të rëndësishëm të angazhimit të KMSHC-së në forume ndërkombëtare, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me zhvillimet bashkëkohore që lidhen me të ardhmen e administratës publike dhe shërbimit civil.
