Një drejtues Jet Ski është ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj gjobë në Ksamil, pasi dyshohet se ka shkelur perimetrin e sigurisë dhe ka hyrë në zonën ku po laheshin pushuesit.
Ngjarja u konstatua gjatë patrullimit të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në sektorin detar të Ksamilit, në zonën e njohur si “Ishujt e Ksamilit”. Sipas policisë, mjeti lundrues përbënte rrezik për jetën dhe sigurinë e pushuesve. Shërbimet ndërhynë menjëherë për ndalimin e tij dhe, pas procedurave administrative, bënë bllokimin e Jet Skit.
Drejtuesi, shtetasi P. A., u ndëshkua me masën administrative prej 500 mijë lekësh të rinj.
Policia njofton se kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë pa ndërprerje, ndërsa u bën thirrje përdoruesve të mjeteve lundruese të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të mos hyjnë në zonat e përcaktuara për pushuesit.
