Dikur konsiderohej e papranueshme dhe mbahej larg pushtetit. Sot, e djathta ekstreme jo vetëm që është normalizuar në një pjesë të madhe të Europës, por po shndërrohet në një forcë që kërcënon drejtpërdrejt partitë tradicionale dhe, në disa vende, synon hapur qeverisjen.
Fenomeni është veçanërisht i dukshëm në tri prej ekonomive më të mëdha të Eurozonës: Gjermani, Francë dhe Itali. Rreth një në katër votues në këto vende mbështet tashmë forca që klasifikohen në të djathtën radikale ose ekstreme, ndërsa kufiri që dikur i ndante ato nga politika tradicionale po bëhet gjithnjë e më i zbehtë.
Dhe ndryshimi nuk është vetëm elektoral. Retorika për emigracionin, kufijtë, identitetin kombëtar, sigurinë dhe sovranitetin, që dikur konsiderohej pronë e partive periferike, ka hyrë në debatin kryesor politik. Edhe partitë tradicionale të qendrës së djathtë, nën presionin e humbjes së votuesve, kanë përvetësuar pjesë të kësaj gjuhe.
Pas këtij transformimi qëndrojnë disa kriza të njëpasnjëshme: emigracioni, rritja e kostos së jetesës, pasiguria ekonomike, lufta në Ukrainë, energjia e shtrenjtë, dobësimi i industrisë europiane dhe mosbesimi gjithnjë e më i madh ndaj elitave politike.
Partitë radikale kanë ditur ta shfrytëzojnë këtë pakënaqësi, duke ndërtuar narrativën e përplasjes mes një “elite të korruptuar” dhe një “populli të harruar”. Euroskepticizmi, kundërshtimi ndaj emigracionit, kërkesa për kufij më të fortë dhe lufta kundër asaj që e cilësojnë si establishment liberal janë kthyer në shtyllat e kësaj vale.
Rasti më domethënës është Gjermania.
Alternativa për Gjermaninë, AfD, mori 20.8% të votave në zgjedhjet federale të shkurtit 2025, duke u bërë forca kryesore e opozitës në Bundestag. Katër vite më parë kishte marrë vetëm 10.4%, ndërsa në fillimet e saj elektorale mezi arrinte në rreth 2%.
Rritja e saj lidhet edhe me krizën e modelit ekonomik dhe politik që dominonte Gjermaninë gjatë epokës së Angela Merkelit. Energjia e lirë ruse, garancitë amerikane të sigurisë dhe fuqia e industrisë eksportuese gjermane krijuan për vite një ekuilibër që sot është tronditur.
Lufta në Ukrainë dhe ndërprerja e varësisë së vjetër energjetike nga Moska, konkurrenca kineze, presioni amerikan, problemet e industrisë automobilistike dhe produktiviteti i dobët kanë krijuar një terren të favorshëm për AfD-në.
Bashkëkryetarja e saj, Alice Weidel, e ka çuar tashmë debatin shumë më larg se kontrolli i emigracionit.
Në një intervistë të fundit për televizionin publik gjerman ZDF, Weidel deklaroi se një qeveri e drejtuar nga AfD do të mbyllte kufijtë dhe do ta nxirrte Gjermaninë nga zona Shengen. Qëndrimet e saj sfidojnë drejtpërdrejt edhe arkitekturën tradicionale të integrimit europian.
Sfida e radhës vjen nga Saksonia-Anhalt, ku zgjedhjet zhvillohen më 6 shtator. Sipas sondazheve të cituara nga media greke “Proto Thema”, AfD afrohet në 40%, ndërsa CDU-ja e kancelarit Friedrich Merz ndodhet rreth 24%.
Nëse këto shifra materializohen në kutitë e votimit, problemi për partitë tradicionale gjermane nuk do të jetë më thjesht se si të frenojnë AfD-në, por nëse mund të vazhdojnë ta mbajnë atë jashtë pushtetit.
Kjo ka ndodhur më parë në Turingi, ku AfD doli forcë e parë në zgjedhjet e vitit 2024, por partitë e tjera arritën ta linin jashtë qeverisjes rajonale përmes koalicioneve.
Por përsëritja e kësaj strategjie bëhet gjithnjë e më e vështirë nëse mbështetja për partinë vazhdon të rritet.
Pas Saksonisë-Anhaltit vijnë beteja të tjera elektorale, përfshirë Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe Berlinin. Një seri fitoresh të AfD-së do të ushtronte presion të jashtëzakonshëm mbi të ashtuquajturin “mur mbrojtës” me të cilin partitë tradicionale gjermane refuzojnë bashkëpunimin me të djathtën ekstreme.
Dhe fenomeni nuk kufizohet te Gjermania.
Në Itali, e djathta nacional-konservatore tashmë ka arritur në qeverisje, ndërsa në Francë forcat e Marine Le Pen kanë shënuar rritje të vazhdueshme dhe janë kthyer në një pretendente reale për pushtetin.
Kjo është ndoshta edhe ndryshimi më i madh që ka ndodhur në Europë. E djathta radikale nuk perceptohet më nga një pjesë e elektoratit si një votë proteste pa perspektivë qeverisëse. Për gjithnjë e më shumë votues ajo është bërë një alternativë normale politike.
Partitë tradicionale gjenden kështu përballë një dileme: ose të përvetësojnë një pjesë të axhendës së kundërshtarëve të tyre për t’u marrë votuesit, ose të ruajnë distancën dhe të rrezikojnë që forcat radikale të vazhdojnë të rriten.
Pikërisht këtu qëndron transformimi më i rëndësishëm politik. E djathta ekstreme europiane nuk po marshon drejt pushtetit me uniformat dhe simbolet e së kaluarës. Ajo po vjen përmes kutive të votimit, me drejtues që kërkojnë të duken të zakonshëm, me një gjuhë të përshtatur për shqetësimet e përditshme dhe me premtimin se do t’u rikthejnë qytetarëve kufijtë, sigurinë dhe kontrollin mbi vendet e tyre.
Në Gjermani, Francë dhe Itali, pyetja nuk është më nëse këto forca mund të ndikojnë politikën. Ato tashmë po e bëjnë këtë. Pyetja që po bëhet gjithnjë e më konkrete është se sa larg janë nga marrja ose konsolidimi i pushtetit.
