Një magazinë me rezerva ushqimore është përfshirë nga flakët në fshatin Zëmblak, në Maliq. Ngjarja është raportuar gjatë ditës së sotme, ndërsa në zonë është mobilizuar shërbimi zjarrfikës për vënien nën kontroll të flakëve.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka përfshirë magazinën ku ruheshin rezerva ushqimore. Deri në këto momente, nuk raportohet për rrezik për banesat pranë zonës apo për persona të lënduar.
Në vendngjarje ndodhen mjetet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së flakëve në objektet përreth.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Pritet që pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe verifikimeve në vendngjarje të përcaktohen rrethanat e plota të incidentit.
