Partizani i epokës “Demi” nuk harron, madje në disa raste duket se përsërit veten, sidomos kur bëhet fjalë për startet negative. Nisja e sezonit 2026-2027 hyn në listën e fillimeve më të dobëta të të kuqve në 14 edicionet e fundit, periudhë gjatë së cilës klubi është drejtuar dhe financuar nga presidenti Gaz Demi. Nën drejtimin e trajnerit Florin Bratu, Partizani ka grumbulluar një pikë në dy javët e para të kampionatit, pikërisht në dy ndeshjet që i kishte në shtëpi.
Të kuqtë barazuan 0-0 me Teutën në start, ndërsa në javën e dytë u mposhtën 1-2 nga Laçi. Kjo është hera e katërt në epokën “Demi” që Partizani e nis kampionatin me vetëm 1 pikë në dy javët e para. Statistika tregon se një start i tillë nuk është i panjohur për klubin, edhe pse në tre rastet e mëparshme historia përfundoi me një biletë për në Europë.
E PARA, NË SEZONIN 2014-2015- Për herë të parë kjo situatë u regjistrua në sezonin 2014-2015, kur Partizani drejtohej nga trajneri Shpëtim Duro. Të kuqtë nuk e nisën mirë, por arritën ta përmbysnin situatën gjatë sezonit dhe në fund siguruan rikthimin në Europë pas një mungese të gjatë. Dy ndeshjet e para të atij edicioni u mbyllën me një barazim 1-1 ndaj Laçit dhe një humbje 1-0 përballë Apolonisë. Pra, vetëm një pikë në dy takime, njësoj si në startin aktual.
E DYTA, NË 2017-2018- Për herë të dytë, Partizani e përsëriti këtë start në sezonin 2017-2018. Të kuqtë humbën 0-2 në shtëpi ndaj Laçit dhe më pas barazuan pa gola me Kukësin, duke grumbulluar sërish vetëm një pikë. Ky edicion regjistroi startin më negativ të Partizanit në fazën e parë dhe në fund sezoni u mbyll me tre trajnerë në stol: Mark Juliano, Sulejman Starova dhe Klevis Dalipi. Pavarësisht problemeve, Partizani arriti të siguronte pjesëmarrjen në Europë. Në këtë rast, të kuqtë përfituan edhe nga fakti që disa prej ekipeve të renditura më lart nuk plotësuan kushtet e licencimit për kompeticionet europiane.
E TRETA, NË 2021-2022- Rasti i tretë erdhi në sezonin 2021-2022, kur në krye të skuadrës ishte Ilir Daja. Partizani e nisi kampionatin me një humbje 1-0 ndaj Teutës dhe një barazim 1-1 në transfertë me Skënderbeun, duke marrë vetëm një pikë në dy javët e para. Edhe ky sezon pati zhvillime në pankinë. Daja u largua më vonë nga drejtimi i skuadrës dhe sezonin e përfundoi Dritan Mehmeti. Në fund, edhe në këtë edicion Partizani arriti të kualifikohej në kupat e Europës.
TANI RADHA E BRATUSË- Dhe historia përsëritet në sezonin 2026-2027. Për herë të katërt në 14 vite, Partizani e gjen veten me vetëm 1 pikë pas dy javësh. Ndryshimi këtë herë është emri i trajnerit. Në vend të Duro, Julianos apo Dajës, përgjegjës për projektin e ri është rumuni Florin Bratu. Statistika mund të shihet edhe si një paralajmërim, por edhe si një arsye për të mos nxituar me konkluzionet. Në të tre rastet e mëparshme, pavarësisht startit negativ, Partizani e rikuperoj situatën dhe ta mbyllë sezonin me pjesëmarrje në kompeticionet europiane. Mbetet për t’u parë nëse edhe Partizani i Florin Bratusë do të jetë në gjendje ta përmbysë këtë start dhe ta kthejë një fillim zhgënjyes në një sezon pozitiv. Për momentin, shifrat janë të qarta, një pikë, dy ndeshje dhe një histori që përsëritet.
Startet e Partizanit në epokën “Demi”, 2013-2026
2013-2014
Kastrioti – Partizani 0-2
Laçi – Partizani 1-0
2014-2015
Laçi – Partizani 1-1
Apolonia – Partizani 1-0
2015-2016
Partizani – Laçi 1-1
Partizani – Flamurtari 2-1
2016-2017
Luftëtari – Partizani 0-1
Partizani – Vllaznia 0-0
2017-2018
Partizani – Laçi 0-2
Partizani – Kukësi 0-0
2018-2019
Skënderbeu – Partizani 1-0
Kamza – Partizani 0-1
2019-2020
Kukësi – Partizani 1-0
Luftëtari – Partizani 0-1
2020-2021
Kastrioti – Partizani 2-1
Kukësi – Partizani 0-2
2021-2022
Teuta – Partizani 1-0
Skënderbeu – Partizani 1-1
2022-2023
Partizani – Egnatia 2-1
Partizani – Laçi 1-0
2023-2024
Partizani – Teuta 1-1
Partizani – Laçi 1-0
2024-2025
Partizani – Vllaznia 0-1
Partizani – Skënderbeu 2-1
2025-2026
Partizani – Vora 1-0
Partizani – Teuta 0-0
2026-2027
Partizani – Teuta 0-0
Partizani – Laçi 1-2
