Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur më 29 gusht 2026 në Vaun e Dejës.

Në reagimin zyrtar sqarohet se janë regjistruar dy raste të veçanta, të dyja si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, të ndodhura në momente të ndryshme.

Rasti i parë është raportuar si urgjencë për goditje elektrike, ku në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar, pa mundur të rikthente qarkullimin spontan.

Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin e urgjencës, thirrja është marrë në orën 18:03.

Në atë moment, ambulanca e Vaut të Dejës ndodhej jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik.

Për këtë arsye, drejt vendngjarjes është nisur ambulanca nga Spitali i Shkodrës, e cila ka mbërritur në orën 19:44.

“Manovrat e reanimimit janë vijuar edhe gjatë transportit drejt Spitalit të Shkodrës. Pavarësisht përpjekjeve të personelit shëndetësor, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan dhe pacienti humbi jetën”, thuhet në reagim.

Ndërsa rasti i dytë i përkiste elektricistit, i cili, disa minuta më vonë, kishte shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë në problemin elektrik. Gjatë ndërhyrjes, edhe ai u godit nga rryma elektrike dhe humbi jetën.

Për këtë rast, kërkesa për ndihmë mjekësore është regjistruar në orën 18:53. Në vlerësimin fillestar, personi rezultonte pa shenja jete. Në këtë moment, ambulanca e dytë nga Shkodra është nisur drejt vendngjarjes dhe ka mbërritur në orën 19:54. Rasti është konstatuar dhe referuar si Kod i Zi në vendngjarje.

Goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik shumë të lartë për jetën dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme.

“Mbi çdo sqarim institucional, kjo mbetet para së gjithash një ngjarje tragjike, e cila solli humbjen e dy jetëve njerëzore. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë për këtë humbje dhe u përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të dy viktimave. Në këto momente të vështira, QKUM bashkohet me dhimbjen e familjeve për humbjen e njerëzve të tyre të dashur”, thuhet më tej në reagim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb