Stephen Curry (38 vjeç), i cili luan me Golden State Warriors që prej vitit 2009, kur u përzgjodh me numrin 7 në draft, ka bërë të qartë dëshirën e tij për të rinovuar kontratën me skuadrën kaliforniane.
“Nuk ka asnjë dyshim se dua të jem këtu deri në fund të karrierës sime dhe jam shumë i bindur se kështu do të ndodhë”, deklaroi për “NBC Sports Bay Area” katër herë kampioni i NBA-së dhe dy herë fituesi i çmimit MVP. Curry, i cili po përgatitet të nisë sezonin e tij të 18-të në NBA, ka një kontratë të vlefshme deri në sezonin 2026-27, me një vlerë prej 62.6 milionë dollarësh për sezon. Kjo e bën atë basketbollistin më të paguar në NBA sa i përket pagës vjetore.
Për shkak të rregullit të NBA-së për lojtarët mbi 38 vjeç, Curry mund të nënshkruajë kontrata me një kohëzgjatje maksimale prej tre vitesh. Në këtë moment, kontrata maksimale që mund të firmosë është një marrëveshje dyvjeçare, me vlerë 136.7 milionë dollarë. Duke folur për rinovimin e kontratës, Curry u shpreh: “Çështja e marrëveshjes dhe kontratës do të vijë në momentin e duhur. Nuk do të lejojmë që kjo të shpërqendrojë përgatitjet tona për sezonin”.
Sezoni i kaluar ishte zhgënjyes për Stephen Curry dhe Warriors. Skuadra e Golden State e përfundoi sezonin me 37 fitore dhe 45 humbje. “Shpresoj që të qëndrojmë të shëndetshëm dhe të kemi mundësinë të tregojmë se për çfarë jemi të aftë. Kjo vlen edhe për mua, pasi sezonin e kaluar humba kaq shumë ndeshje”, pranoi Curry. Sezonin e kaluar, ylli i Warriors regjistroi një mesatare prej 26.6 pikësh në 43 ndeshjet që arriti të luante.
“Objektivi mbetet i njëjtë… Për zgjatjen e kontratës do të shohim në momentin e duhur. Por unë jam gati për sezonin tim të 18-të. Është e pabesueshme që ka kaluar kaq shumë kohë dhe që ende përpiqem të luaj në një nivel shumë të lartë për të ndihmuar skuadrën të fitojë. Jam gati të bëj punën time”, përfundoi Stephen Curry.
