Nga Grigels Muçollari
Një leksion të gjatë etike mbajti sot Edi Rama, ku zbuloi se fajtorë për krizën në vend, për pakënaqësinë dhe revoltën ndaj qeverisjes qenkan deputetët dhe sjellja e tyre.
Pikërisht deputetët duhet ta përmbysin këtë situatë, duke mos dërguar më mesazhe, duke mprehur veshët e dëgjuar mirë qytetarët, duke lënë një vend dhe orë takimi fikse me qytetarët në mënyrë periodike.
Deputetët nuk duhet më të ndërhyjnë për të punësuar njerëz, e as për të kryer ndonjë punë të vogël.
Dhe mos të bëjnë me sekserin për ndonjë nder, se do futen në burg.
Këto dokrra populiste janë një mjerim i madh, aq më shumë nëse Edi Rama shpreson se do ta shpëtojnë nga pika më e ulët e kurbës së tij politike.
Kush e beson më një predikues të lirë si ky, kur në të vërtetë ai ka bërë vetë krejt të kundërtat e këtyre që thotë.
Kërcënon me burg deputetët nëse ndërhyjnë, ndërkohë që ai vetë me mesazh e me telefon përcakton se kush duhet të fitojë tenderat. Me telefon ai thërret arkitektët nga çdo anë e botës dhe u jep detyrat për resortet dhe kullat.
U thotë deputetëve që do të jetë vepër penale nëse ndërhyjnë, ndërkohë që veprat penale të rënda si kjo, të bashkëpunëtores së tij të ngushtë, i quajti normale dhe i mbrojti në parlament me 82 vota.
Pra, i ka bërë vetë të gjitha ato për të cilat fajëson të tjerët.
Në fillim ia faturoi qeverisjen e keqe drejtorëve, administratës, tani zbuloi se janë deputetët.
Po, nëse janë deputetët problemi, nëse ata kanë krijuar pakënaqësinë e madhe, kush i ka zgjedhur ata, kush i ka seleksionuar, kush i ka vendosur në listë, kush i ka dërguar në KQZ, kush i ka paraqitur para qytetarëve?
Dokrra si këto të sotmet tregojnë se Edi Rama është ezauruar plotësisht dhe nuk ka më asnjë ide, asnjë plan, apo vizion. Thjesht po ecën me idenë që t’ia ngecim dikujt e të shtyjmë dhe ca ditë. Të fitojë kohë, po për çfarë?
Dy gjëra ai i ka të sigurta. Pushteti po i rrënohet çdo ditë dhe është drejt fundit. Dhe drejtësia që e pret për aferat e mëdha financiare e krimet që ka kryer në 13 vite.
Njerëzit nuk janë ngritur në këmbë e në revoltë se nuk e dinë, se janë të paqartë se kush e ka përgjegjësinë për korrupsionin e varfërinë. Janë ngritur se e dinë mirë se kush është përgjegjësi. E kanë targetuar dhe prej 100 ditësh kërkojnë largimin e tij. Përralla si ato që tregoi sot thjesht mbushin më shumë sheshin dhe tregojnë sa e drejtë është kauza e tyre.
