Ndryshe nga çdo vit, këtë herë është e vështirë të parashikosh fituesin e “Topit të Artë”, kjo për disa arsye. E para, Spanja, ekipi që triumfoi në Botërorin “FIFA2026”, nuk kishte një individ të spikatur mbi të tjerët, edhe pse Rodri u shpall lojtari më i mirë i turneut, për të gjithë është e qartë se forca e vërtetë e “Furisë së Kuqe” ishte grupi, forca e ekipit. Edhe vetë Rodri e kapi formën më të mirë gjatë turneut pasi erdhi nga një sezon i vështirë me Man.City.
Në letër, fituesi më i madh i këtij viti është Fabian Ruiz, me mesfushorin spanjoll që fitoi gjithçka me fanellën e PSG, përfshi këtu edhe Champions League, plus Botërorin, por Fabian Ruiz nuk shihet as mes tre kandidatëve final.
Një prej favoritëve kryesor konsiderohet Lamine Yamal, me yllin spanjoll që fitoi gjithçka me Barcelonën, por në Botëror nuk ishte në nivelin e tij maksimal. Për trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente, “Topin e Artë” e meriton pikërisht Lamine Yamal: “Shumë do të thonë se ai nuk bëri asgjë në Kupën e Botës, por nëse i keni parë vërtet ndeshjet, e dini se ai ishte lojtari ynë më i rëndësishëm. Unë besoj se Lamine Yamal duhet ta fitojë Topin e Artë këtë vit”, u shpreh De la Fuente.
Një super sezon zhvilloi edhe Harry Kane, realizoi 73 gola me Bayern Munich dhe Anglinë, por “bomberit” i mungon në CV një trofe i rëndësishëm, si me Bayern ashtu edhe me Anglinë u ndal në fazën gjysmëfinale, në Champions dhe Botëror.
Një super Botëror zhvilluan edhe dy legjenda si Leo Messi dhe Kylian Mbappe, por të dyve, ashtu si Harry Kane, i mungojnë trofe të rëndësishëm. Mbappe vjen në këtë garë vetëm me dy trofe individual, golashënuesi më i mirë në La Liga dhe golashënuesi më i mirë në Botërorin “FIFA2026”.
