Spanja vazhdon marshimin perfekt në Nations League. “Furitë e Kuqe” përmbysën Kroacinë 2-1 në Split, duke regjistruar fitoren e katërt në po aq ndeshje dhe duke ruajtur kreun me 12 pikë.

Kroacia kaloi në avantazh në minutën e 17-të me Ivan Perisic, pas një aksioni ku Unai Simon ndali goditjen e parë të Stanisic. Spanja reagoi gradualisht, por nuk arriti të barazojë para pushimit.

Në pjesën e dytë, trajneri spanjoll hodhi në fushë Merinon dhe mesfushori i Arsenalit ndryshoi ndeshjen. Në minutën e 61-të ai barazoi shifrat pas asistit të Olmos, ndërsa në të 89-tën realizoi edhe golin e përmbysjes me një goditje spektakolare.

Kroacia mbeti edhe me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të Perisic dhe nuk mundi të shmangte humbjen. Vendasit mbeten në kuotën e 3 pikëve, ndërsa Spanja vazhdon me pikë të plota në krye të grupit.

Pas ndeshjes tekniku i kampionëve Luis De La Fuente  vlerësoi qetësinë e ekipit të tij përballë atmosferës elektrizuese në Split.

“Ata janë futbollistë fantastikë dhe nuk ndalojnë kurrë së luftuari,.Ndonjëherë më befasojnë edhe mua – dhe jam i pari që e pranoj këtë. Duhej të qëndronim me ta dhe t’i lodhnim. Në pjesën e dytë e kontrolluam ndeshjen, edhe pse ata krijuan ende disa momente të rrezikshme në kundërsulm, gjë që është normale. Në një atmosferë si ajo që sapo patë, ne arritëm të ngriheshim mbi të. Është një fitore me meritë të jashtëzakonshme”, përfundoi De La Fuente.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb