Fatmira Nikolli

Një mbrëmje emocionale me kujtime të gjurmëve të para, sukseseve të para e përulje për ata që ju dhanë dorën e parë. Mbrëmja hapëse e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, solli në skenë dhe nderoi emra të njohur të kinemasë që vlerësuan miqtë e dikurshëm të ekranit të madh dhe folën me ndjeshmëri për publikun. Aktori i njohur Reshat Arbana, tha se të bësh art në kohë të çmendura do guxim.

“Jam tepër i emocionuar. Kam dalë mijëra herë në skenë, por po e them si burrat, emocionet që kam ndjerë sonte, nuk i kam ndjerë ndonjëherë. Në këto kohë të çmendura që po jetojmë, ngjarje si kjo e sotmja janë me rëndësi të madhe shumë. E kisha vendosur veten në gjumë dhe thashë se e kisha mbyllur me dekoratat, çmimet e titujt. Por ja që, në kuadrin e ditëlindjes së 86-të, më akordohet një çmim që vërtet më ka emocionuar shumë”, tha Arbana.

Ndërkohë që nuk i fshehu emocionet, në dridhjen e zërit dhe mirënjohjen për sallën e ngritur në këmbë, Arbana, kujtoi kohët që do bëhej aktor dhe kishte drojë, duke pyetur veten se pse e meritoi gjithë këtë.

“Çfarë bëra unë që mora tërë këto çmime e medalje. Punova shumë. Më është dashur diçka e vogël, siç thoshte Kadri Roshi, që ai e quante dhunti, por unë e quaj talent. E ka dhënë ai i madhi i artit dramatik, të tjerat ishin punë. Dhe vërtet që ishin punë.  Unë kam pasur dëshirë të madhe të bëhesha aktor. Isha adoleshent dhe me një shokun tim shkonim çdo natë në teatër, por e kishim të ndaluar të hynim, se ishte një tabelë që na ndalonte ata që ishin nën 16-vjeç si të ishin vetëm, si të shoqëruar”, kujtoi ai, duke rrëfyer se e ka nisur karrierën me atë ankthin e madh nëse do të bëhej dot aktor. Asokohe, mes dilemave të rioshit, për të një shenjë nga Zoti,  ishte hapja e shkollë së aktorëve. “Dhe thashë, sa të bëhem ushtar, po shkoj të jap prova, mbase fitoj dhe fitova”, shtoi ai. Ende me sytë nga ajo kohë, ai vlerësoi, kolegët e dikurshëm.

“Isha adoleshent dhe shihja çdo javë Hamletin e të madhit Naim Frashëri. Shihja Kadri Roshin në rolin e Ezopit. Shihja Lazër Filipin në rolin e Leninit dhe thoja, si ka mundësi, nuk do bëhem kurrë aktor”.

Kur Arbana filloi punë në Teatrin Kombëtar, në oborrin e tij, shkëlqenin yjet e skenës. Arbana e tregoi mirënjohje ndaj atyre që e ndihmuan, kur tha se “ruaj një dashuri e respekt të madh. Ja, ia dedikoj këtë çmim edhe atyre të dashurve dhe të mrekullueshmëve aktorë. Me ndihmën e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të këtyre aktorëve të mëdhenj, të vërejtjeve, sugjerimeve, përkrahjes, arrita të bëhesha një aktor që gëzoj respektin e popullit”.

Emra të njohur të filmit si Pirro Milkani, Xhevdet Feri u nderuan duke ftuar familjarët e tyre dhe duke nderuara veprën e lënë pas. Më pas në skenë u ngjit edhe aktorja Roza Anganosti, që mori dekoratë për punën e saj, një pjesë të së cilës, ajo ia kushtoi bashkëshortit të ndjerë, regjisorit Dhimitër Anganosti.

222
222

“Unë jam pioniere e artit që filloi në vitin 1952 dhe jam krenare për këtë. E kam nisur nga teatri “Migjeni” i Shkodrës. Një rrugë e gjatë artistike, me punë, emocione, sakrifica, por edhe kënaqësi të madhe. Është moment i vështirë për mua dhe fjalët mund të duken të varfra për atë që dua të shpreh dhe e ndjej tani. Doja që Dhimitrin ta kisha në krah këtë moment. Ky çmim është vlerësim jo vetëm për mua, por edhe për të. Për bashkëshortin tim, për bashkëpunëtorin tim, në një jetë të gjatë në të gjithë rrugëtimin tonë të ngushtë të jetës dhe të veprimtarisë tonë artistike, i cili më ka mbështetur, më ka ndihmuar dhe ka sakrifikuar bashkë me mua që të krijojmë artin e bukur dhe të mrekullueshëm të kinematografisë.

Anagnosti ka një vit që është në përjetësi, por la veprën si shkollë dhe përkushtimet e tij si pjesë të kinematografisë shqiptare, edukimin qytetar dhe mbështetjen e gjithanshme për këtë brez dhe për brezat e rinj.

Në karrierën time kam pasur fatin të punoj pothuaj me të gjithë regjisorët e Kinostudios, Erebara, Mitro, Hysen Hakani, Çashku,etj . T’i kujtojmë me duartrokitje ata që nuk janë më”, tha ajo.

Në natën e parë të Festivalit, ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, tha se festivali nderon artin shqiptar.

“Ju keni keni një mision të rëndësishëm me artin e krijimin që bëni që shkon përtej çdo inteligjence artificiale. Ne sot nuk kthejmë vetëm një festival, por kthejmë një traditë. Duam të kemi një arkitekturë të re sa i takon industrisë kreative dhe kinemasë, në mënyrë që talentet e rinj të kenë mundësi më të mëdha dhe më të barabarta”, tha ai.

 

Pas ceremonisë me nderime,  fjalimeve  nga Kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji, drejtori i festivalit Ilir Butka dhe producentja Rafaela Rica, u shfaq filmi i regjisorit Gjergj Xhuvani, “Liqeni im”, projekti i fundit i një prej emrave më të mirë të artit të 7-të.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb