Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka deklaruar nga Levanit se situata e zjarreve vijon të mbetet problematike, ndërsa forcat e emergjencave po punojnë për vënien nën kontroll të vatrave.

Çako bëri me dije se për shuarjen e flakëve është ndërhyrë nga ajri me dy helikopterë dhe një avion Air Tractor, jo vetëm në zonën e Levanit, por edhe në vatra të tjera zjarri në pjesë të ndryshme të Shqipërisë.

Sipas tij, prioriteti kryesor i strukturave të emergjencave është mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve, ndërsa po punohet për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.

Gjatë situatës së zjarreve, tre persona kanë pësuar asfiksi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa raportohet edhe për djegien e një banese të braktisur.

Çako ka kërkuar gjithashtu nga organet kompetente që të merren masa të ashpra ndaj autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme, duke bërë thirrje për dënimin maksimal për personat që shkaktojnë zjarre me dashje.

Ndërkohë, forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave vijojnë punën në terren, ndërsa ndërhyrja nga ajri po përdoret në zonat ku terreni dhe përhapja e flakëve e vështirësojnë operacionin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb