Kreu i shtabit të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Kyrylo Budanov, ka zbuluar detaje të panjohura më parë nga negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë, përfshirë një propozim të papritur të Moskës që delegacioni ukrainas të udhëtonte në kryeqytetin rus për të vijuar bisedimet.
Sipas Budanov, propozimi u bë gjatë negociatave të zhvilluara në Gjenevë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Delegacioni ukrainas u përball me dilemën nëse duhej të udhëtonte drejt Moskës, me mundësinë e një takimi kokë më kokë me Vladimir Putinin, por edhe me rrezikun që negociatorët të arrestoheshin.
“Jam gati të ndërmarr çdo hap që do t’i japë fund luftës”, deklaroi Budanov, duke theksuar se çdo hap duhet të bazohet në kushte të pranueshme për Ukrainën.
Udhëtimi drejt Moskës nuk u realizua dhe negociatat përfundimisht u futën në një ngërç. Megjithatë, episodi sipas materialit tregon gatishmërinë e Budanovit për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit me Moskën, pavarësisht përplasjes së armatosur.
“Lufta nuk mund të zgjasë përgjithmonë”
Rusia dhe Ukraina ndodhen aktualisht në një tjetër cikël përshkallëzimi, ndërsa të dyja palët vazhdojnë sulmet me dronë dhe raketa. Pavarësisht luftimeve, Budanov shprehet se negociatat e ndërmjetësuara nga administrata Trump pritet të rifillojnë deri në fund të shtatorit.
Sipas tij, komunikimi me palën ruse duhet të vijojë edhe në kushtet e luftës.
“Sigurisht që nuk mund t’i besojmë njëri-tjetrit sepse jemi në luftë. Kjo është logjike dhe e kuptueshme. Në të njëjtën kohë, të dyja palët e kuptojnë se duhet të gjejnë një zgjidhje. Lufta nuk mund të zgjasë përgjithmonë”, tha Budanov.
Ai ka treguar gjithashtu se ka komunikuar ndër vite me figura të rëndësishme të inteligjencës ruse, përfshirë kreun e GRU-së, Igor Kostyukov. Sipas tij, këto kontakte kanë shërbyer edhe për çështje konkrete, si hapja e korridoreve detare në Detin e Zi dhe negociatat për të burgosurit e luftës.
Mosmarrëveshjet për Donbasin
Një prej çështjeve më të vështira në negociata mbetet territori në Donbas, që ende mbahet nga Ukraina. Budanov tha se kishte këshilluar Zelenskyn të mos pranonte një kompromis që do t’i lejonte Rusisë të krijonte përshtypjen se kishte marrë kontrollin e rajonit.
Sipas tij, negociatat mund të rifillojnë, por një armëpushim nuk pritet të arrihet menjëherë. Budanov paralajmëroi se Rusia mund të zhvillojë një tjetër fushatë të gjerë bombardimesh gjatë dimrit.
“Negociatat, herët a vonë, do të çojnë diku. Nuk mund të luftosh gjithë jetën tënde”, përfundoi ai.
