Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë shfaqjes ajrore Athens Flying Week në Tanagra të Greqisë, ku një avion luftarak Phantom F-4 me dy vende është rrëzuar pak para uljes. Fati i dy pilotëve që ndodheshin në bord mbetet ende i paqartë. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur menjëherë operacionet për gjetjen e tyre, ndërsa minutat kalojnë dhe shqetësimi për fatin e tyre rritet.
Avioni u rrëzua në një moment kur qindra persona po ndiqnin shfaqjen nga një distancë relativisht e afërt. Sipas dëshmitarëve, avioni dukej se po lëshonte tym përpara se të humbiste papritur lartësi dhe të përplasej në tokë. Raportimet e para nga vendngjarja bëjnë me dije se avioni është ndarë në dy pjesë pas përplasjes, ndërsa zjarri ka shpërthyer në dy zona të ndryshme.
Në operacionin për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe një helikopter zjarrfikës, i cili po hedh ujë mbi zonën ku ka rënë avioni. Aksidenti ka shkaktuar panik dhe tronditje te njerëzit që ndodheshin në vendngjarje. Organizatorët kanë nisur menjëherë evakuimin e zonës, ndërsa Athens Flying Week është pezulluar përkohësisht.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit për dy pilotët vijon.
