Një aksident i rëndë ka shkaktuar panik në një tavernë në Selanik, ku një 45-vjeçar shqiptar, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka përfunduar mes tavolinave të mbushura me klientë, duke plagosur tre persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit të së dielës, në zonën e Evosmosit.

Automjeti doli nga rruga dhe hyri në ambientin e jashtëm të tavernës, në rrugën Agamemnonos, duke përplasur tavolina dhe klientët që ndodheshin aty. Sipas dëshmitarëve, një tragjedi u shmang falë vazove të mëdha me bimë, të vendosura përgjatë hapësirës së lokalit, të cilat penguan përparimin e mëtejshëm të makinës.

Nga përplasja mbetën të plagosur tre persona. Dy prej tyre kanë dalë nga spitali, ndërsa një burrë vijon të marrë trajtim mjekësor, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pronarja e tavernës ka përshkruar momentet e tmerrit, duke theksuar se pasojat mund të kishin qenë fatale.

“Nëse nuk do t’i kishim vazot, do të kishim funerale”, deklaroi ajo, duke treguar se ishte larguar nga lokali vetëm pak minuta përpara aksidentit.

“Pashë tmerr dhe panik, ishte sikur po shihnim një film”, rrëfeu pronarja.

Sipas dëshmisë së një klienteje, bashkëshorti i së cilës mbeti i plagosur dhe ndodhet në spital, 45-vjeçari shqiptar tentoi të largohej menjëherë pas përplasjes. Megjithatë, klientët ndërhynë për ta ndaluar, duke përdorur edhe karrige për t’i penguar largimin.

Një tjetër dëshmitare, e cila gjithashtu mbeti e plagosur, tregoi se kishte shpëtuar për fat, ndërsa përshkroi panikun që përfshiu klientët në momentin kur automjeti u fut mes tavolinave.

Policia greke arrestoi drejtuesin shqiptar, ndërsa testi i alkoolit konfirmoi se ai kishte konsumuar pije alkoolike përpara se të ulej në timon.

Ndaj 45-vjeçarit janë ngritur akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, shkaktim të dëmtimeve trupore nga pakujdesia ndaj disa personave dhe drejtim nën efektin e alkoolit.

Ai është dërguar për gjykim në Gjykatën Penale me Procedurë të Përshpejtuar dhe vijon të mbahet në paraburgim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb