Pas një ndërprerjeje të gjatë prej 14 vitesh, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar është rishfaqur me gjithë shkëlqimin e tij në Tiranë, duke u kthyer në kryeqendrën e artit dhe kulturës në vend.

Kjo ngjarje historike ka bërë bashkë qindra artistë, nga korifejtë e kinemase shqiptare deri te kineastët e rinj e me talent, duke festuar trashëgiminë dhe të ardhmen e ekranit të madh.

Nata e hapjes solli emocione të shumta dhe momente nostalgjie, ku vëmendja kryesore u përqendrua te vlerësimi i figurave që kanë shkruar historinë e filmografisë sonë. Emra të mëdhenj si Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro e të tjerë, u nderuan me Çmimet e Karrierës për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në artin shqiptar.

Megjithatë, si çdo event i rëndësishëm nuk mund të kalonte pa debate. Mbas nje lapsusi në ceremoninë e hapjes nga organizatorët, ku në vend të fotos së regjisores së njohur Xhanfize Keko, u vendos për pak sekonda në ekran fotoja e poetes Natasha Lako, për të cilën u kërkua ndjesë publike nga drejtori artistik i festivalit Ilir Butka.

Regjisori i njohur Mevlan Shanaj dhe e shoqja Natasha Lako, u revoltuan dhe shprehën pakënaqësinë e tyre përmes një statusi ku e cilësonin festivalin  “obobo, kjo mynxyrë ,” dhe thanë  gjithashtu se janë të pakënaqur për ndarjen e 16 çmimeve te karrierës.

Pavarësisht polemikave të natyrshme artistike, entuziazmi i publikut dhe pjesëmarrja e komunitetit kinematografik mbeten në nivele rekord.

Festimi i kinemasë vazhdon gjatë të gjitha këtyre ditëve me shfaqje filmash, debate dhe takime mes brezave. Sipari i këtij edicioni jubilar do të ulet më 12 shtator, në natën finale ku do të ndahen edhe çmimet kryesore të konkurrimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: