Barcelona vazhdon marshimin perfekt në La Liga. Katalanasit shkatërruan Valencian 5-0 në “Mestalla” dhe me katër fitore në katër javët e para ngjiten të vetëm në krye të klasifikimit.

Yamal hapi serinë e golave që në minutën e pestë, me një parabël spektakolare pas asistit të Fermín. Vetë talenti spanjoll shënoi sërish pak minuta më vonë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në minutën e 22-të, Barcelona dyfishoi avantazhin. Yamal nisi aksionin, ndërsa Fermín e finalizoi pas kombinimit me Gordon. Pas pushimit, Raphinha shënoi të tretin, ndërsa në minutën e 79-të ishte Pedri që çoi shifrat në 4-0. Yamal vendosi firmën përfundimtare në minutën e 85-të, duke kompletuar dopietën dhe fitoren e thellë 5-0.

Barcelona shkon kështu në 12 pikë dhe shkëputet tri pikë nga Real Madridi.

Hansi Flick pas ndeshjes u shpreh i kënaqur për mënyrën se si skuadra arriti të shprehej në fushën e lojës: “Sot zhvilluam një ndeshje fantastike, pothuajse perfekte. Patëm kontrollin dhe ishim dominues”.

Trajneri gjerman megjithatë kërkon më shumë nga skuadra: “Asgjë nuk është perfekte. Gjithmonë mund të përmirësohemi dhe ne mund të bëhemi edhe më të mirë”.

Ndërsa për formën e jashtëzakonshme të sulmit, Flick theksoi: “Kemi një cilësi të jashtëzakonshme në sulm dhe në mesfushë. Të gjithë mund të shënojnë gola”, përfundoi tekniku gjerman i katalanasve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: