Një ngjarje tragjike goditi familjen shqiptare Manati, me origjinë nga Lushnja, në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë humbën jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët mëngjesin e 26 gushtit.
Viktimat janë dy binjakë 11-vjeçarë dhe një fëmijë vetëm 2 vjeç. Prindërit dhe dy fëmijë të tjerë të familjes, një foshnjë 2-muajshe dhe një 9-vjeçar, arritën të mbijetonin, por u dërguan në spital në gjendje kritike.
Daja i fëmijëve, në një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores, ka rrëfyer momentet e dhimbshme pas marrjes së lajmit dhe pamundësinë për t’i parë nipërit prej vitesh për shkak të emigrimit.
“Po pres të ikim në SHBA. Nipërit shkuan 11 vjeç, por na ka ndarë emigrimi dhe nuk i kam parë as kur kanë lindur, tani po iki t’i fus në dhe”, ka treguar ai, duke përshkruar dhimbjen e madhe të familjes.
Sipas dëshmisë së dajës, shkak i mundshëm i zjarrit dyshohet të ketë qenë një lodër e fëmijëve që ishte lënë në karikim gjatë natës.
“Gjithçka ka ndodhur nga një lodër që i kanë blerë fëmijëve. Ka qenë në karikim dhe ka plasur bateria gjatë natës”, është shprehur ai.
Daja ka treguar se ende nuk ka mundur të flasë me motrën e tij, nënën e fëmijëve, pasi ajo ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike pas tragjedisë.
“Me motrën nuk kam folur sepse nuk ka qenë në gjendje të flasë. Janë me trauma edhe motra ime edhe fëmijët. Nuk duron dot kur vjen nata dhe errësohet”, ka rrëfyer ai.
Sipas tij, lajmin për tragjedinë e mori nga xhaxhai i tij i vogël.
