Situata me zjarret në Malin e Tërbunit në Pukë ka marrë përmasa kritike duke dalë plotësisht jashtë kontrollit. Flakët, e ndihmuara nga erërat e forta, janë përhapur në një vijë prej më shumë se 12 kilometrash, duke përpirë sipërfaqe të tëra me pyje të larta pishe.

Zjarri po përparon me shpejtësi në drejtim të lagjes Pezhvë në qytetin e Pukës, duke rrezikuar drejtpërdrejt zonat e banuara. Për shkak të terrenit të thyer malor, ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse në vatër është plotësisht e pamundur. Effektivët e ushtrisë dhe zjarrfikësit po punojnë me mjete rrethanore vetëm në njërën anë të vatrës, pa mundësi për të kontrolluar të gjithë perimetrin e flakëve.

Përballë kësaj emergjence, autoritetet lokale i kanë drejtuar thirrje zyrtare pushtetit qendror që prej orëve të mëngjesit për ndërhyrje urgjente nga ajri me helikopterë, si e vetmja rrugë për të parandaluar katastrofën. Ndërkohë, hetimet paraprake ngrenë dyshime të forta se zjarri është pasojë e një akti të qëllimshëm, por deri më tani policia nuk ka asnjë person të shoqëruar apo të identifikuar si autor të kësaj zjarrvënieje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb