Çmimi i Madh i Italisë për Sharl Lëklerkun zgjati vetëm 3 xhiro. Pas një përplasjeje të fortë me Luis Hamilton në sektorin e parë të pistës, piloti nga Monako humbi kontrollin e makinës gjatë përshpejtimit dhe u përplas me barrierat.

Lëklerk qëndroi për një kohë të gjatë i ulur në anë të pistës, duke ndier dhimbje, përpara se të kthehej në këmbë drejt bokseve. Për fat të mirë, piloti i Ferrarit nuk pësoi pasoja të rënda dhe u dërgua menjëherë në qendrën mjekësore për kontrolle. Piloti monegask u përplas me barrierat me një shpejtësi prej rreth 200 km/h.

“Gjithçka është në rregull. Ende kam disa shqetësime, por në përgjithësi jam mirë. Vetëm në fillim pata probleme me syrin, por tani ndihem mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Shtypa gazin dhe pata një ‘snap’ (humbje të papritur të kapjes në pjesën e pasme të makinës), dhe më pas humba kontrollin. Gjithsesi, duhet t’i shoh përsëri pamjet”, deklaroi Lëklerk, ende disi i tronditur nga aksidenti.

Një fund i hidhur për fundjavën e Lëklerkut, i cili vetëm pak çaste përpara incidentit ishte kritikuar përmes radios nga Hamilton. “Më shtyu jashtë piste”, shpërtheu piloti britanik menjëherë pas kontaktit në nisje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb