Finlanda ka përuruar një gardh rreth 200 kilometra të gjatë, të ndërtuar në segmente përgjatë kufirit me Rusinë, në një tjetër lëvizje që dëshmon tensionet e larta mes Helsinkit dhe Moskës. Autoritetet finlandeze thonë se barriera synon të pengojë përdorimin e migrantëve si instrument presioni dhe destabilizimi.
Sipas televizionit publik finlandez Yle, ndërtimi i gardhit zgjati katër vjet dhe kushtoi rreth 356 milionë euro.
Finlanda mbylli në dhjetor 2023 kufirin e saj prej rreth 1.340 kilometrash me Rusinë, pasi më shumë se 1.300 migrantë pa viza mbërritën në pikat kufitare. Helsinki akuzoi Moskën se po lehtësonte qëllimisht lëvizjen e shtetasve të vendeve të treta drejt kufirit finlandez, duke e cilësuar këtë si një formë të “luftës hibride”. Kremlini i ka mohuar vazhdimisht akuzat.
Që prej mbylljes së kufirit, situata ka mbetur përgjithësisht e qetë, ndërsa janë regjistruar vetëm raste të izoluara të kalimeve të paligjshme. Megjithatë, Helsinki paralajmëron se kjo mund të ndryshojë në çdo moment.
“Situata sot është e qetë, por e tensionuar dhe nuk e dimë se çfarë mund të sjellë e nesërmja”, deklaroi ministrja finlandeze e Brendshme, Mari Rantanen, pranë pikës kufitare të Nuijamaa-s.
Sipas saj, Finlanda duhet të jetë e përgatitur për një ndryshim të menjëhershëm të situatës në kufirin lindor.
Gardhi arrin deri në 4,5 metra lartësi në zonat e konsideruara strategjike dhe është pajisur me kamera dhe sensorë për mbikëqyrjen e kufirit. Megjithatë, ai mbulon vetëm një pjesë të vijës së gjatë kufitare mes Finlandës dhe Rusisë.
“Ky është pjesë e sistemit tonë të sigurisë kufitare dhe na ndihmon me mbikëqyrjen, por gjithashtu na mundëson, nëse është e nevojshme, të pengojmë hyrjen e njerëzve në territorin finlandez”, tha Rantanen.
Përforcimi i kufirit vjen pas ndryshimit historik të politikës së sigurisë së Finlandës. Vendi u anëtarësua në NATO në prill 2023, duke i dhënë fund politikës shumëvjeçare të mosangazhimit ushtarak, një vendim që acaroi ndjeshëm marrëdhëniet me Moskën.
Masa të ngjashme sigurie janë ndërmarrë edhe nga vende të tjera në krahun lindor të NATO-s. Letonia, Lituania dhe Polonia kanë ngritur barriera përgjatë kufijve me Bjellorusinë, ndërsa Estonia ka përforcuar kufirin e saj me Rusinë.
