Partia Demokratike ka ashpërsuar tonet ndaj qeverisë, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, pas dëshmive të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Në një deklaratë për mediat, anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, e akuzoi Nufin se po shërben si mburojë për biznesmenin Ron Yeffet, i përshkruar si njeri i afërt i kryeministrit Edi Rama dhe i përfshirë në një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve.

Sipas opozitës, e ashtuquajtura ndërmarrje shtetërore e armatimit “KAYO” nuk është gjë tjetër veçse një strukturë e mirëmenduar për të mbuluar operacione të pisëta financiare dhe ushtarake.

Muçollari denoncoi heshtjen dyditore të kryeministrit Rama dhe mospasjen e asnjë reagimi nga ana e SPAK-ut, duke nëvizuar se për një vend anëtar të NATO-s, skandale të këtij niveli cënojnë drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe atë të Aleancës.

Opozita hodhi poshtë çdo përpjekje për ta cilësuar këtë ngjarje si përgjegjësi individuale të zyrtarëve të veçantë, duke e cilësuar “KAYO”-n si një sipërmarrje të kontrolluar nga vetë kryeministri. Në përmbyllje, Partia Demokratike njoftoi se do të kërkojë zyrtarisht ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, do t’i drejtohet drejtësisë për nisjen e hetimeve dhe do të vërë në dijeni partnerët ndërkombëtarë për përfshirjen e strukturave shtetërore në tregtinë e armëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb