Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka deklaruar nga Pogradeci se procesi i reformës territoriale ndodhet ende në fazë diskutimesh dhe se asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë. I pyetur mbi ecurinë e konsultimeve, diplomati sqaroi se OSBE-ja nuk imponon asnjë model të caktuar dhe se i takon vetë Shqipërisë të përcaktojë organizimin e saj administrativ.

Duke bërë me dije se përfaqëson një organizatë me 57 shtete anëtare ku secili ka sistemin e vet, Tarran solli shembullin e vendit të tij të origjinës, Francës, e cila numëron rreth 35 mijë komuna, përkundrejt vendeve të tjera që kanë vetëm disa dhjetëra. Ai nëvizoi se çdo shtet ka historinë, traditën dhe nevojat e veta specifike, ndaj vendimi nëse Shqipëria do të mbetet me 61 bashki apo do të kalojë në 40, 100 apo më shumë, është kompetencë ekskluzive e institucioneve vendëse.

Sa i përket korrektësisë së procedurave të ndjekura deri tani, ambasadori i OSBE-së vlerësoi se është ende herët për të dhënë një gjykim përfundimtar. Ai theksoi se asnjë vendim nuk duhet të merret pa kryer më parë një konsultim të gjerë si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal, proces i cili sipas tij po vijon aktualisht.

Deklaratat e diplomatit u bënë gjatë pjesëmarrjes së tij në mbledhjen e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike në Pogradec, ku fokusi kryesor i diskutimeve ishte garantimi i sigurisë në institucionet arsimore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb