Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit të Naftës dhe Gazit, Ahmet Shehu, ka dhënë detaje lidhur me shpërthimin e ndodhur ditën e sotme në pikën e karburantit “EIDA” në zonën e Brrylit në Tiranë.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon, Shehu sqaroi se nga verifikimet e para dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet që ndodhej në sheshin e furnizimit.

Sipas tij, makina që ndodhej në sheshin e pikës së karburantit ka marrë flakë në pjesën e pasme, çka ka sjellë më pas shpërthimin dhe dëmtimin e aparateve të shitjes së lëndës djegëse. Zyrtari hodhi poshtë pretendimet për një rrezik më të madh në strukturën kryesore, duke konfirmuar se rezervuarët nëntokësorë të karburantit nuk kanë pësuar shpërthim.

Lidhur me rregullsinë e subjektit “EIDA”, kreu i inspektimit bëri me dije se ky stacion karburanti i është nënshtruar një kontrolli zyrtar në muajin qershor, ku kishte rezultat pa shkelje të normave teknike e ligjore. Grupet e inspektorëve ndodhen në vendngjarje që prej orëve të mëngjesit dhe po bashkëpunojnë me institucionet e tjera për të nxjerrë konkluzionet përfundimtare mbi shkaqet e incidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb