Analisti Fatos Lubonja ka komentuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, pretendimet e opozitës për ngritjen e një komisioni parlamentar që do të verifikojë akuzat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, përfshirë edhe pretendimet për trafik armësh në Shqipëri. Lubonja u shpreh se hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm te një komision parlamentar, por sipas tij, nevojitet edhe një reagim brenda vetë partisë në pushtet.

“Këtu nuk duhet të kishte vetëm komision parlamentar, por dhe komision brenda partisë. Se këtu janë disa kukulla, që rrinë pas tij. Nëse ata nuk janë kukulla që i komandon ky, duhet të flisnin, por janë bashkëfajtorë”, deklaroi Lubonja. Ai kritikoi gjithashtu reagimet ndaj protestuesve që kanë akuzuar qeveritarë për korrupsion, duke iu referuar konkretisht rastit të Iris Luarasit.

“Shkojnë dhe hedhin në gjyq këta protestuesit që u thonë ‘hajdutë’. E kam për Iris Luarasin. Kryehajduti po shkëlqen nga të gjitha anët me maskarallëkun e tij”, u shpreh analisti.

Sipas Lubonjës, situata ka kaluar kufijtë e një debati normal politik dhe institucional. “Nuk është më jeta normale demokratike që të ngrihen komisione parlamentare apo gjykata. Këtu është vjedhja sheshit!”, tha ai.

Duke u ndalur te protestat e opozitës, Lubonja i cilësoi ato si një ngjarje historike, duke theksuar kohëzgjatjen e tyre. “Është ngjarje historike. Do ta kujtojmë shumë gjatë që shqiptarët u ngritën 102 ditë në protestë”, deklaroi ai.

Në vijim, analisti tha se, nëse Shqipëria do të ishte një demokraci e mirëfilltë, protesta do të kishte sjellë më shumë reagim institucional. “Po të ishim në demokraci të vërtetë, do ta kishte bërë punën më shumë kjo protestë. Do të duhet një reagim më i fortë ndaj kësaj bande, përndryshe mbaron dhe një brez tjetër nën qeverisjen e kësaj bande”, përfundoi Lubonja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: