Në Spanjë, suksesi spektakolar përballë Feynoord kaloi në plan të dytë, me mediat që i kushtuan vëmendjen kryesore faktit të Raphinha nuk u përfshi në listën e kandidatëve favorit për “Topin e Artë” , një çështje për të cilën u pyet edhe Hansi Flick në konferencë për shtyp:

“Besoj se Raphinha e meritonte të ishte pjesë e asaj liste, por kjo është një gjë që nuk mund ta ndryshojmë tani. Lamine Yamal? Ai është një lojtar i imi, një lojtar special, i shkëlqyer. Sigurisht që e meriton Topin e Artë”, u shpreh Hansi Flick.

Pas pyetjeve në lidhje me “Topin e Artë”, Flick u shfaq i kënaqur me lojën që ekipi i tij dhuroi përballë Feynoord dhe ecurinë perfekte në këtë fillim sezoni: “Më pëlqeu shumë ajo që pashë, jemi një ekip me shumë cilësi. Edhe kur ndryshojmë, kur kryejmë zëvendësime, nuk ndryshon cilësia, luajmë në të njëjtën formë. Sigurisht, ka aspekte ku mund të përmirësojmë, duhet ta bëjmë diçka të tillë. Në këto ndeshje të para kemi shënuar shumë gola, po luajmë në stilin që dëshirojmë dhe kjo po i pëlqen njerëzve. Edhe pse jemi vetëm në fillim të sezonit ndjesitë janë pozitive”, u shpreh Hansi Flick në konferencë për shtyp.

Pas ndeshjes, edhe Raphinha u shfaq përpara gazetarëve, ku sigurisht pyetja e parë ishte në lidhje me mos prezencën e tij në listën e 30-të kandidatëve favorit për “Topin e Artë”: “Nuk dua të flas për këtë pjesë, flas vetëm për Barcelona. Mund të them me bindje se po zhvillojmë një sezon spektakolar”, u shpreh Raphinha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb