Me tensione është shoqëruar protesta e zhvilluar në zonën e Durrësit të Ri, në rrugën “Vllazërimi”, ku banorët kanë bllokuar qarkullimin në kuadër të aksionit të tyre. Bllokimi i rrugës ka sjellë reagimin e drejtuesve të automjeteve, duke shkaktuar debate dhe përplasje verbale me protestuesit.
Një prej protestuesve, i përfshirë në debat, tha se banorët kanë probleme të vazhdueshme me përmbytjet dhe se protesta është e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen ndaj problematikave të tyre.
“Rrugën duhet ta bllokojmë çdo ditë. Më është përmbytur shtëpia tre herë. Jemi hallexhinj, ndërsa kryeministri pi vetë 30 mijë euro”, u shpreh ai.
Protesta zgjati rreth një orë dhe u monitorua nga efektivë të Policisë, të cilët ishin të pranishëm në zonë gjatë zhvillimit të saj. Në përfundim të protestës, banorët dhe protestuesit janë shpërndarë, ndërsa qarkullimi i automjeteve është rikthyer normalisht.
