Një 46-vjeçar shqiptar është dënuar me gjashtë vite burg nga drejtësia austriake, pasi u shpall fajtor për një seri vjedhjesh në banesa në Vorarlberg.

Vjedhjet kanë ndodhur gjatë periudhës korrik-gusht të vitit të kaluar, kur 46-vjeçari dyshohet se ka hyrë me forcë në nëntë banesa të ndryshme. Vlera e sendeve dhe parave të grabitura arrin të paktën në 14 mijë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm, duke përfshirë edhe dëmet materiale në banesa, i afrohet 40 mijë eurove.

Sipas mediave austriake, bëhet fjalë për një person të dënuar më parë për vepra të ngjashme kriminale. Ai kishte vuajtur dënime me burg edhe në Suedi dhe Danimarkë, ndërsa këtë herë gjurmët e ADN-së të gjetura në vendngjarje çuan hetuesit drejt tij.

46-vjeçari ishte shpallur në kërkim përmes një urdhër-arresti evropian dhe që prej muajit mars të këtij viti ndodhet në paraburgim në burgun e Feldkirch. Në sallën e gjyqit ai u paraqit me pranga dhe u përball me akuzat për nëntë vjedhje në banesa.

Gjatë seancës, i pandehuri u shpreh i penduar dhe tha se dëshiron të ndryshojë jetën e tij. I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues se si e imagjinon të ardhmen, ai përmendi dhe dy fëmijët e tij.

“Sigurisht që dua të ndryshoj, në fund të fundit kam dy fëmijë”, mësohet të ketë deklaruar 46-vjeçari.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave të pendesës, ai nuk ka pranuar pjesën më të madhe të dëmit financiar të shkaktuar.

Sipas akuzës, dëmi nuk lidhet vetëm me paratë dhe sendet e marra, por edhe me dyert e thyera, xhamat e dëmtuar dhe dëme të tjera materiale në banesat ku është futur me forcë.

Për nëntë familjet e prekura, dëmi nuk është vetëm financiar. Pronarët e banesave janë përballur edhe me pasigurinë dhe shqetësimin që shkakton fakti se persona të huaj kanë hyrë në hapësirat e tyre private dhe kanë kontrolluar sendet personale.

Gjatë procesit është përmendur edhe një bashkëpunëtor i mundshëm. I pandehuri ka pretenduar se nuk ka vepruar i vetëm, por emri që ka dhënë rezultoi të ishte i sajuar. Për këtë arsye, autoritetet nuk kanë mundur të identifikojnë një person tjetër që mund të ketë marrë pjesë në vjedhje. Hetimet vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: