Shërbimet e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Njësinë Operacionale kanë finalizuar operacionin e koduar “Village”, duke çuar në pranga një 19-vjeçar të shpallur në kërkim për një ngjarje të rëndë.
Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Pjezë të Shijakut u bë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit L. C., 19 vjeç, banues në Shijak.
19-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se mbrëmjen e datës 26 korrik 2026, në lagjen nr. 13 në Durrës, ka goditur me mjete prerëse (thikë) tre persona gjatë një konflikti për motive të dobëta. Sulmi është kryer në bashkëpunim me shtetasin M. H.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, më datë 4 gusht 2026, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për shtetasit L. C. dhe M. H., të akuzuar për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Kapja e 19-vjeçarit u realizua pas informacioneve të marra në rrugë operative mbi vendndodhjen e tij në zonën rurale ku fshihej.
Ndërkohë, strukturat e Policisë së Shtetit po vijojnë punën për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër në këtë ngjarje, shtetasit M. H. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.
