I ftuar në emisionin “Minuta e parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, eksperti i sigurisë Avenir Peka deklaroi se krijimi i kompanisë shtetërore KAYO shërben si një mekanizëm për të kontrolluar fondet e mëdha që do të shkojnë për modernizimin e forcave të armatosura.

Sipas Pekës, shifrat zyrtare të shpenzimeve ushtarake nuk përputhen me realitetin.

“Sipas kërkesave të NATO-s, kontributi i Shqipërisë duhet të jetë 5% e GDP-së. Sipas qeverisë është 2%, por nuk është as aq, është rritur në mënyrë fiktive. 1.5% është realisht dhe kaq është 400 milionë euro. Të shkosh nga 1.5% në 5% është të shkosh në 1.4 miliardë euro. Shtimi nga 400 milionë në 1.4 miliardë do të thotë shtim i buxhetit të mbrojtjes me 1 miliard euro në vit,” sqaroi ai.

Më tej, eksperti argumentoi se kjo rritje parash nuk parashikon shtim të trupave, por blerje armatimesh.

“Kryeministri, duke marrë eksperiencën e vet dhe ekspertizën me partneritetet e tij me biznesin privat në shumë fusha, ka menduar që këtë treg, këto para të mos i lërë në duar të lira të kompanive që vijnë, por ta zotërojë ai vetë me njerëzit e tij, në këtë rast me Ron Yeffet. Ka ngritur këtë mekanizmin e KAYO-s jo vetëm që të vidhet në tenderat publikë, por të bëhet një cikël i mbyllur ku vetë këta individë përcaktojnë nevojat, llojet e armatimeve, përcaktojnë çmimet dhe kriteret teknike,” deklaroi Peka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb