Struktura e pronësisë në industrinë ushtarake dhe dyshimet për lëvizjen e armatimeve kanë qenë në qendër të deklaratave të eksperit të sigurisë, Avenir Peka.

Në një intervistë për emisionin “Minuta e parë” në News24, ai foli për ortakëritë private pas kompanisë shtetërore KAYO dhe drejtimin e saj.

Peka sqaroi skemën e pronësisë dhe rolin e drejtuesve.

“KAYO është kompani shtetërore, SHA, me pronar shtetin, me administrator të përcaktuar nga shteti që është një figurë që e njohim, injorant në fushën e vet, kamikaz i kryeministrit, ish-drejtori i policisë, Ardi Veliu. Paralelisht me KAYO është krijuar një kompani tjetër me fushën e mbrojtjes që zotërohet nga Ron Yeffet me një zonjë tjetër shqiptare, dhe këta pronarë të dy të kësaj kompanie bashkë me KAYO kanë krijuar një kompani të tretë. Të kompania e tretë 10% të aksioneve i ka KAYO dhe 90% i kanë këta të dy. Sivjet KAYO edhe këtë 10% të aksioneve të mëdha i ka shitur. Sepse ka shitur 51% të aksioneve të veta, pra shteti aktualisht te KAYO është 49% aksioner. Pra te biznesi i madh është 4.9%,” u shpreh ai.

Sa i përket prodhimit vendas, eksperti u shpreh se kompania nuk ka fabrika prodhuese.

“Makinat e Timak Defense janë makina Toyota të blera në treg, të veshura me ngjyrë kamuflazhi dhe të shitura, i kanë vendosur edhe një logo Timak para dhe bëhet sikur e kanë prodhuar këta. Nuk kanë fabrikë për të prodhuar, nuk prodhojnë gjë këta! Del që për armatim të lehtë dhe municion, prodhohen ose blihen në Afrikë, sillen në Shqipëri dhe paketohen këtu si Made in Albania dhe dërgohen në vend konflikti. Një gjë është manipulimi i bilanceve financiare dhe tjetër gjë është të nisen për në Ukrainë dhe tjetër është të shkojnë në Ukrainë e të përfundojnë nuk e dimë se ku. Ky është trafik armësh. Kjo po ndodh aktualisht në Shqipëri,” përfundoi Peka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb